Tri pikët zerojnë problemet e Kastriotit në prapavijë, Bubeqi: Këto ndodhin në futboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2024 | 13:01

Tri pikët zerojnë problemet e Kastriotit në prapavijë, Bubeqi: Këto ndodhin në futboll

Fitorja e fundit ndaj Erzenit, ka bërë që krutanët të hedhin vështrimin nga vendet e kreut. Autori i dy golave për Kastriotin ishte Dejvid Kapllani. Ardhja e tij në ekip vetëm ditën e fundit para fillimit të garës, e ka penalizuar lojtarin të jetë në formacionin titullar.

Dorjan Bubeqi

Por, ai është aktivizuar si zëvendësues, për shkak se nuk ishte në formën e tij më të mirë. Kështu ndodhi edhe ndaj Erzenit, por gjahtari i golave arriti t’i jepte tri pikë të çmuara ekipit të tij, që është ngjitur në vendin e pestë të klasifikimit duke grumbulluar 10 pikë. Ndeshja ndaj Erzenit për Kastriotin nuk ka qenë aq e lehtë, pasi mbrojtja dhe portieri Puja nuk kanë qenë në lartësinë e duhur. Reparti i sulmit ka shpërdoruar raste për gola të sigurt, por fitorja e arritur i zëron për momentin gabimet e bëra. Ndërkohë, lind nevoja që trajneri Bubeqi të punojë fort me lojtarët për të mos u përsëritur të njëjtat gabime në fushën e lojës. Në minutën e 69-ë portën kundërshtare e ka gjetur edhe Marinaj, i cili u aktivizua si zëvendësues.

Trajneri Bubeqi duket se ka mbetur i kënaqur nga të tijtë, që në gjashtë ndeshjet e zhvilluara deri tani, katër i kanë zhvilluar në transfertë. “E kishim parashikuar një duel të vështirë ndaj Erzenit. Kjo fitore ka shumë vlerë për ne. Pjesa e parë u zhvillua nën nivelin e Kastriotit, ndërsa i përgëzoj lojtarët për atë që dhanë në fushë pjesën e dytë. Mund të kishim shënuar edhe më shumë gola, por sulmuesit shpërdoruan mjaft raste të sigurta. Këto ndodhin në futboll. Ndërkaq Kastrioti, ka filluar nga sot përgatitjet për një tjetër betejë të fortë ndaj Vorës”, thotë trajneri.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"