Tripletë në ndeshjen e 100-të me Barcelonën, Rafinja “kopjon” Nejmarin: Me Bajernin ishte si një finale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2024 | 21:10

Tripletë në ndeshjen e 100-të me Barcelonën, Rafinja “kopjon” Nejmarin: Me Bajernin ishte si një finale

Ndeshja kundër Bajernit ishte e veçantë për Rafinjën. Sulmuesi brazilian festonte ndeshjen e tij numër 100 me fanellë blaugrana.rafinjaDhe ai i ka bërë një dhuratë vetes dhe të gjithë tifozëve të Barcelonës, duke shënuar një tripletë, të cilën do ta mbajë gjatë në memorien e tij. Ka qenë një mbrëmje rekordesh për brazilianin, që ka konfirmuar edhe njëherë tjetër formën e shkëlqyer në këtë fillim sezoni. Së bashku me Levandovskin dhe Jamal, ai është një nga shtyllat e suksesit të katalanasve. Siç deklaroi vetë Rafinja pas ndeshjes, ai po përjeton një ëndërr nga e cila nuk dëshiron të zgjohet.

SI NEJMAR – Rafinja ka bërë historinë në Ligën e Kampioneve, duke u bërë i pari lojtar pas Nejmarit që i shënon dy gola në një pjesë të vetme loje (në pjesën e parë më saktë) Bajernit të Mynihut. Për herë të fundit kishte qenë Nejmar në maj të vitit 2015, gjithashtu edhe ai me fanellën e Barcelonës. Braziliani ishte protagonisti i madh i mbrëmjes me tre gola, duke treguar një formë fantastike përballë një prej skuadrave më të forta në kontinent. Në këtë mënyrë Rafinja ndjek hapat e bashkëpatriotit të tij.

TREGOLËSHI – Për Rafinjën ky ishte tregolëshi i tij i parë në Ligën e Kampioneve. Para tij kishte qenë Levandovski që në sezonin 2022- 2023mkishtë shënuar një tripletë për Barcelonën në suksesin kundër Viktori Pilzen. Tregolëshi kundër Bajernit e ka futur Rafinjën në një listë të veçantë, ku bëjnë pjesë dhe Roi Makai, Aguero dhe Kristiano Ronaldo, si të vetmit lojtarë që i kanë shënuar një trigolësh Bajernit në Champions.

DEKLARATA – Nuk kishte mëdyshje se Rafinja ka qenë njeriu i ndeshjes në suksesin e thellë të Barcelonës kundër Bajernit. Tre gola, duke bërë që ai të marrë me vete në shtëpi topin e ndeshjes por dhe trofeun e më të mirit. Vetë Rafinja ka folur për mediat pas takimit, duke vlerësuar paraqitjen e skuadrës.

“Ishte një ndeshje madhështore. Më vjen mirë, jam i lumtur që i kemi dhënë një kënaqësi të veçantë tifozëve tanë. Një sukses i tillë kundër Bajernit nuk është shaka. Kemi dominuar takimin, jemi treguar konkretë në mundësitë tona dhe kemi marrë një fitore që do të na ndihmojë shumë për ecurinë tonë të mëtejshme”, tha Rafinja. Braziliani ka folur edhe për tre golat e shënuar, duke nisur nga ai i sekondës së 57- të. “Meritë kanë të gjithë shokët, por natyrisht që jam i lumtur”, tha ai. Sulmuesi nuk mund t’i shpëtonte as komenteve në lidhje me përballjen e së shtunës në Madrid kundër Realit. “‘El Clásico’ duket se premton një ndeshje të madhe. Mendoj se ajo që ndodhi në Madrid kundër Dortmundit dhe ajo që ndodhi me ne kundër Bajernit tregon se do të jetë një ndeshje e shkëlqyer”.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"