Triumfi ndaj Francës, Spaleti: Reaguam bukur, por kjo Itali duhet të tregojë veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2024 | 9:20

Triumfi ndaj Francës, Spaleti: Reaguam bukur, por kjo Itali duhet të tregojë veten

E kishte thënë që në deklaratat e para pas Europianit se të gjithë duhej të prisnin një Itali ndryshe. Jo vetëm në vendosje taktike, por sidomos në qasje pas inatit për eliminimin në “Euro 2024”, duhej kthyer në energji për kursin e ri, që “Axurrët” do të nisnin pikërisht me Ligën e Kombeve.

66db7c98ec105

Dhe kush më mirë se Franca për të testuar forcën e një ekipi të ri në thelb që duhet të mbështetet te të rinjtë duke falënderuar veteranët. Në konferencë për shtyp, tekniku italian, komentoi në këtë mënyrë suksesin me “Gjelat”.

“Reagimi i menjëhershëm në qëndrim pas golit të tyre ishte çelësi i ndeshjes sipas mendimit tim. Djemtë i dhanë forcë njëri tjetrit dhe zhvilluan ndeshjen që u kisha kërkuar. U treguan dyfish të zotë pasi nuk ishte e lehtë të pësoje një gol të tillë, pas 14 sekondash dhe të kundërpërgjigjeshin me aq forcë”. Ndeshja e radhës e Italisë do të jetë kundër Izraelit të hënën dhe skuadra duhet të tregojë se kursi i ri ka nisur me të vërtetë.

“Kur je pjesë e një skuadër e ke gjithmonë mundësinë të bësh më mirë. Goli i shpejtë i pësuar ishte një aksident, por ditëm të qëndrojmë siç duhej në fushë. Në këtë grup ka aq shumë tension dhe presion sa që çdo gabim, sado i vogël, mund të sjellë çoroditje të madhe. E rëndësishme është që të kuptojmë gabimet dhe t’i hedhim pas krahëve pasi kemi nxjerrë mësimet e duhura”, shpjegoi Spaleti.

LËVDATA DHE KRITIKA – Sidoqoftë, mendja është ende disi tek Europiani, sidomos kur flitet për gjendjen fizike të skuadrës, për të cilën ai tha: “Në Gjermani, përveç vështirësive të shumta, kishim edhe probleme fizike. Shumë nga djemtë vinin nga një sezon sfilitës. Tani nuk janë aq të rënduar fizikisht sa ishin në qershor. Për më tepër, ky grup ka fatin të ketë disa djem, të cilët përveç se të freskët, kanë edhe shumë dëshirë për të treguar se sa vlejnë dhe se meritojnë të jenë pjesë e kombëtares. Për mendimin tim, pasioni është çelësi i çdo suksesi”.

Në fund, edhe një koment për Tonalin, i cili pas pezullimit një vjeçar për baste, dje tregoi se nuk e ka humbur klasin e tij. “Tonali, ashtu si të tjerët, bëri një ndeshje të mrekullueshme. Kisha frikë se mos nuk ia dilte, por tregoi fuqi të frikshme. Kemi rigjetur një lojtar tepër të fortë”, përfundoi Spaleti.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"