Tropojanët kanë rikthyer trajnerin që i ngjiti në të Parën, Gjoni: Shpresoj ta nisë mbarë në shtëpi, ja si ia del Valbona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2024 | 20:18

Tropojanët kanë rikthyer trajnerin që i ngjiti në të Parën, Gjoni: Shpresoj ta nisë mbarë në shtëpi, ja si ia del Valbona

Valbona u ngjit këtë sezon në Kategorinë e Parë si kampione e Kategorisë së Dytë. Tropojanët kanë pritur që të mbarojë java e nëntë e kampionatit që të përzgjedhin trajnerin zyrat për të drejtuar skuadrën. 

LAD GJONI

Nga faza përgatitore dhe deri te humbja e fundit në Pogradec, skuadra është drejtuar nga drejtori sportiv, Emiljano Gega. Klubi tropojan ka bërë të ditur dje përmes një postimi në faqen zyrtare se trajneri i ri do të jetë Vladimir Gjoni. Ata i urojnë mirëseardhjen dhe sukses në pankinë. Ja njoftimi: “Zyrtare, rikthehet trajneri Vladimir Gjoni në ekipin KF Valbona. Mirë se ri erdhe profesor Vladimir Gjoni. Suksese në pankinë dhe drejtimin e ekipit, sa më shumë fitore”.

Trajneri Gjoni bëri një punë të madhe me tropojanët në fundin e sezonit të shkuar, duke i siguruar Valbonën arritjen historike, që për herë të parë siguroi ngjitjen në Kategorinë e Parë. Gjoni vjen si shpëtimtari i Valbonës, që e gjen në ujërat e turbullta për mbijetesë. Valbona ka rigjetur akordin me trajnerin Gjoni dhe që nga largimi i tij, tropojanët nuk patën kërkuar trajner tjetër, derisa është rikthyer në stol specialisti i kësaj skuadre. Ai pret ta nisë nesër me fitore aventurën e dytë me Valbonën, që në javën e 10-të pret Kastriotin. “Rikthehem te Valbona me synime të qarta dhe për të bërë më mirë se më parë. Më vjen keq për pozicionin që ka ekipi, kur ende kanë mbetur edhe dy javë nga faza e parë.

Janë dy ndeshje të vështira për skuadrën e Valbonës, gjithsesi nuk është vonë për të korrigjuar. Presim të mërkurën Kastriotin, ku shpresoj ta nis me fitore dhe të rikthej mentalitetin e kësaj skuadre te fitorja, si dhe për të thyer atë “makth” të stadiumit “Vëllezërit Gega”, ku Valbonës nuk i ka ecur fati. Them kështu, pasi cilësinë skuadra e ka. Unë e njoh mirë, sepse zhvillova 9 ndeshje në sezonin e kaluar dhe lojtarët janë po ata, madje ka prurje edhe më cilësore. Edhe pse do të kem vetëm dy ditë në dispozicion për përgatitjen e skuadrës, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që ekipi t’i rikthehet fitoreve të munguara”, u shpreh trajneri Vladimir Gjoni për “Panorama Sport”.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"