Turam i bindur: Interi do të “pushtojë” Europën. Mbiemri më ka penalizuar, nuk iki…
Markus Turam i premton besnikëri Interit. Sulmuesi francez thotë se nuk ka ndërmend të largohet nga Milano duke përdorur klauzolën 85 milionë euro. Golashënuesi më i mirë i kampionatit (bashkë me Retegin) nuk zgjedh mes Champions-it dhe Serisë A, por thotë se do të luftojë për çdo trofe.
Ai është i bindur që kampionët e Italisë kanë forcën për të trembur çdo ekip tjetër në Europë.
Nëse nuk do të ishit i biri i Lilian, a do të ishit kaq i fortë? Jo. Ai ka qenë shumë i rëndësishëm për mua, që kur isha i ri dhe tani. Me atë fitoj kohë, një fjalë e tij krahasohet me 2-3 javë punë për një tjetër.
Po sot është ai babai i Markus, apo ju vazhdoni të jeni i biri i Lilian? Jo. Unë jam i biri i tij. Jam edhe vëllai i madh i Kefren. Jam shumë krenar për familjen time.
Ka qenë një peshë e madhe për ju të qenit djali i një kampioni? Ndonjëherë ka qenë. Por im atë më përgatiti për këtë gjë. Më tha se do të më gjykonin për mbiemrin dhe do të thonë që unë jam lojtar thjesht sepse jam i biri i tij. Nuk ka qenë diçka pozitive kur isha fëmijë, të dëgjoja fjalë të tilla nga prindërit e shokëve të skuadrës. Unë iu përgjigjesha: Nëse unë shënoj gol nuk e bëj sepse portieri kundërshtar spostohet ngaqë unë jam i biri i Lilian.
Keni vënë ndonjë bast me Kefrenin se kush do të fitojë më shumë trofe këtë sezon? Kishim mundësinë që të luanim edhe bashkë me njëritjetrin. Kur unë isha te Borusia dhe Nica më donte me ngulm. Pastaj nuk e di pse gjithçka ngeci. I uroj më të mirën. Por jo, më të mirën fare. Le të themi diçka të mirë për aspektin personal, por jo për skuadrën ku luan.
Është realisht më i fortë se ju? Po. Është. E di pse? Sepse mund të mësojë, si nga babai, ashtu edhe nga vëllai. Është me fat.
Ju jeni i apasionuar pas “Dragon Ball”. Kush është personazhi i preferuar? Më i preferuari ishte “Super Saiyan 4”. Unë e adhuroj atë, është i shpejt dhe potent. Por edhe Holin dhe Benxhin. Bëja tifo për Mark Lenders. Ishte lojtar krahu dhe pastaj u bë sulmues si unë.
Çfarë përjetuat gjatë momentit të vështirë të Bove? Isha i paralizuar, më ngriu gjaku dhe nuk dija çfarë të bëja. Por ishte si një zgjim për jetën. Pas ndeshjes telefonova të gjithë njerëzit që dua.
Flasim pak për idhullin tuaj, Adriano. Çfarë efekti ju bën ta shihni sot? Kam lexuar që ndihet i lumtur në lagjen e tij. Unë e shoh në “Instagram” që është i lumtur dhe i buzëqeshur. Kjo ka më shumë vlerë.
E di që Simone Inzagi ka shënuar 4 gola në një ndeshje të vetme në Champions? Nuk e dija. Nuk mendoj se unë do ta arrij ndonjëherë këtë gjë. Ndoshta edhe për faktin që pas 2 golash do të më largonte nga fusha. (qesh).
Si ia dilni që të jeni gjithmonë i buzëqeshur? Jam i lumtur. Jam duke bërë atë për të cilën kam pasur më shumë dëshirë dhe e kisha ëndërr. Përse të mos jem i lumtur?
Na tregoni pak për raportin me gjumin… Çdo pasdite që nuk kam stërvitje unë fle. Dhe madje nuk e vë as alarmin. Kur të zgjohem të zgjohem.
Ku e shihni veten pas 15 vitesh? Më pëlqen shumë ajo që bën Titi Henri te CBS. Dua që të punoj në një televizion amerikan, duke bërë ndonjë koment me humor dhe batuta. Në Itali dhe në Francë të marrin shumë seriozisht. Dhe në çdo rast dua që të jetoj në Amerikë.
Po në fushë, keni diçka të ngjashme me Henrinë apo jo? Jo. Ai ishte i një tjetër niveli. Flas shpesh me të, ndonjëherë e kam më të lehtë me atë sesa me babanë tim. Një ditë më ka treguar që në Itali e kanë vendosur të luajë si lojtar anësor në mesfushë. Si është e mundur kjo?
A është ky momenti më i mirë i karrierës suaj? Po. Tek Interi kam gjetur besim total dhe kjo falë atyre që kam afër, shokëve, trajnerit, klubit. Nuk e di se deri ku mund të mbërrij sepse kjo më bezdis. Duhet që t’i duash gjërat dhe jo të vendosësh limite. Pse duhet të them që bëj kaq gola. Kam ende shumë gjëra për t’u përmirësuar.
Për shembull? Në goditjen me kokë duhet të përmirësohem. Duhet të provoj që të jem më i shpejtë sesa tani. Ndihem më shumë i fortë sesa në fillimin e sezonit. Në janar do të jem akoma më mirë. Tani për tani shkoj menjëherë në zonën ku Dimarko e çon topin. E di se çfarë do të bëjë ai. E njëjta gjë edhe me Mkitarianin. Është çështje njohjeje dhe eksperience.
Çfarë kapiteni është Lautaro? Ai flet atëherë kur duhet. Nuk e bën kurrë kot. Jemi shumë të ndryshëm, por u përshtatëm ndoshta pikërisht prej diferencave. Nëse ai do të ishte si unë do t’i thosha: “Ej, sa serioz që je”. Unë i jap diçka dhe ai më jep diçka tjetër.
Po raporti jashtë fushës së lojës, si është? Ai është i martuar… Kur jemi larg për shembull secili me kombëtaret e tij, flasim shpesh. Ndoshta sepse na mungon njëri-tjetri. Flasim përpara ndeshjeve dhe pas tyre. Gjithmonë.
Ju keni një klauzolë prej 85 milionë eurosh për t’u larguar nga Interi? Shifra është pak e lartë. E them me sinqeritet. Por nuk do të ndodhë kurrë që unë të largohem nga Interi duke shfrytëzuar klauzolën, për raportin që kam këtu me të gjithë. Kjo shifër u vendos sa për të thënë, por kurrë nuk do të vendos me kokën time. Nëse do të vijë një ofertë e tillë, gjithmonë do të diskutoj me klubin.
Kë zgjidhni mes titullit dhe Champions-it? Unë nuk mund të zgjedh. Objektivi im është që të fitoj 5 trofetë. Nëse do të zgjedh vetëm Champions-in dhe pastaj nuk fitoj, çfarë do të them. Unë e konsideroj Interin në elitën e futbollit Europian. Është një nga ekipet më të mëdha. Jemi një skuadër që mund të trembim këdo. Nuk shoh ndonjë klub që është më i mirë sesa ne. Janë 5-6 skuadra më të mira sesa të tjerat dhe ne jemi mes tyre.
Po Inzagi, çfarë trajneri është? Unë provoj të bëj gjithçka në fushën e lojës. Nuk e di se si ia bën ai, por gjithmonë që më sugjeron një gjë, ajo ndodh në fushën e lojës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"