Turi i parë i Kupës ndaj Albanëve, mundësi kolaudimi për Kukësin e ri
Ndonëse vëmendja kryesore e Kukësit është kampionati, aty ku duhet të zënë një pozicion komod për të mos vënë në rrezik mbijetesën, edhe Kupa i intrigon jo pak.
Edhe pse nuk e ka më “sharmin” dhe ato pak cilësi që pati sezonin e kaluar, ku shkoi deri në finale, sërish verilindorët nuk duan ta lënë pas dore këtë kompeticion, të paktën sa i përket ndeshjeve që në letër janë favoritë dhe nuk u duhet një sforco e madhe. Në këtë mënyrë është përgatitur edhe përballja e kupës me Albanët, e cila do të luhet sot në “Kukës Arena”, aty ku e shohin si një mundësi të mirë për të ngritur moralin edhe pas humbjes në Pogradec.
Trajneri Emiljano Çela ka kërkuar që t’i bëhet vlerësimi i duhur edhe këtij kundërshtari modest, në një kohë që do t’u jepet mundësia edhe atyre që nuk kanë pasur shumë minuta në këmbët e tyre në sfidat e kampionatit. Madje, nga ajo pjesë e lojtarëve kërkohet më shumë, në mënyrë që të përdoren më pas si alternativa në kampionat, ku dihet që një skuadër e krijuar rishtazi dhe me vonesë si Kukësi, ka nevojë për ndihmën e të gjithëve. Në kampionat, Kukësi do të ketë përballë skuadrën e Kastriotit, aty ku do të rigjejë edhe një njohje të vjetër si Stavri Nica. Një fitore ndaj krutanëve do të konsolidonte disi pozitat e tyre në renditje, ku ndodhen në mesin e tabelës.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"