Turi i shpresës, Apolonia me “sytë” te ndeshjet e mbetura të fazës së parë
Apolonia nis në fundjavë turin e shpresës. Përballë do të ketë Valbonën, me të cilën ndan vendin e dhjetë me katër pikë. Bardhejeshilët vijnë pas tri rezultatesh radhazi negative në këto gjashtë javë të para dhe në rast të një triumfi, ata do të kenë mundësinë t’i lënë pas tropojanët si rivalët më të afërt, më pas të largohen nga zona “e ftohtë” e renditjes.Kjo përballje shihet si tepër e rëndësishme në kampin fierak. Edhe ndeshja kundër Besës, kur në fund humbën shansin për të dalë me të paktën një pikë, skuadra tregoi se ka potencial dhe nuk e ka “inferioritetin” e të qenit në fund të tabelës. Në këto gjashtë javë të para, fierakët kanë pasur përballë skuadra që kanë pretendimet e tyre për t’u ngjitur në elitë, ose kanë pasur një kalendar të vështirë. Në një farë mënyre, kjo ka ndikuar jashtëzakonisht, ndonëse ka ende keqardhje për ndonjë pikë të lënë rrugës, që do t’i jepnin mundësinë të ishin në gjashtëshen e parë. Gjithsesi, tani nisin ndeshjet me të “ngjashmit”, në të cilët do të shihet se deri ku mund të shkojnë fierakët.
Kalendari- Nga pesë përballjet e mbetura të kësaj faze, katër janë me ekipet që ndodhen shumë afër zonës së ftohtë: Valbona, Erzeni, Korabi dhe Pogradeci. Në mes tyre është edhe Burreli në “Loni Papuçiu”, ku dihet që Fieri është për të gjitha skuadrat një ndër fushat më të vështira të së Parës. Jashtë fushe do të kenë sfidat me tropojanët, dibranët dhe pogradecarët, ndërsa në javën e parafundit të fazës së parë do të presin shijakasit në “Loni Papuçiu”. 5 ndeshje shprese, ndonëse bëhet fjalë vetëm për fazën e parë, por do të jenë një tregues në mbyllje të saj.
Dëmtimet- Apolonia shpreson të rikuperojë në kohë lojtarët që u dëmtuan kundër Besës, siç janë tre mesfushorët: Albashir Musa, Jasin Rajab dhe Enea Topi. Pa harruar se në infermieri kanë qendërmbrojtësin Serjan Repaj. Gjithsesi, trajneri Sedat Pajaziti mund t’i gëzohet faktit se pak e nga pak po i rikthehen në skuadër dhe me kohë të plotë lojtarët që kanë pasur dëmtime të mëhershme, si Mikael Rakipaj, Abjel Bejzade apo edhe Erald Maksuti. Shpresohet vetëm që në vijim të kampionatit, kosovari ta ketë grupin sa më të plotë, në mënyrë që të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm.
HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"