U akuzua për përdhunim, mbrojtësi zbulon emrat që e ndihmuan: Në festat seksuale, edhe shokët e Sitit
Ish-ylli i Mançester Sitit, Benzhamë Mendy, thotë se shokët e skuadrës kanë shijuar festat e tij seksuale, ndërsa ai u ka marrë borxh para atyre gjatë ditëve të vështira të procesit gjyqësor.
“Ne të gjithë kishim marrëdhënie të rastësishme me gra”, thuhet në deklaratën e Mendisë. Në dokumente ai identifikoi si pjesëmarrës në këto festa Rijad Mahrez, Xhek Grilish, Kajl Uoker, Xhon Stons dhe Rahim Sterling. Mendi po padit klubin për 11.5 milionë paund paga që i ndërprenë, pasi ai u arrestua me akuzën e përdhunimit.
Ai u lirua nga këto akuza në përfundim të procesit vitin e shkuar. Në një deklaratë të tij në një gjykatë punësimi, 30-vjeçari tha: “Disa lojtarë të ekipit të parë të Mançester Sitit, duke përfshirë kapitenin e klubit, ishin të gjithë të pranishëm në festat ku unë merrja pjesë dhe organizova. Ne të gjithë pimë alkool. Të gjithë kishim marrëdhënie të rastësishme me femra. Të gjithë kemi shkelur kufizimet e ‘Covid-19’. Kjo nuk e justifikon sjelljen time, por mendoj se është e padrejtë që Mançester Siti të më veçojë mua në mënyrën që e kanë bërë. Dallimi mes meje dhe lojtarëve të tjerë është se unë isha ai që u akuzova pa të drejtë për përdhunim dhe u poshtërova publikisht”.
Mendi, i cili tani luan në klubin francez të Lorient, nuk i përmendi me emra lojtarët. Sidoqoftë, ai iu referua një historie rreth gjyqit të tij të parë të publikuar në revistën sportive online “The Athletic”. Ai përmendi se jurisë iu dhanë emrat e Rijad Mahrez, Xhek Grilish, Kajl Uoker, Xhon Stons dhe Rahim Sterling dhe u tha se të gjithë kishin qenë në festa në netët e incidenteve të supozuara. Asnjëri nuk u akuzua për ndonjë krim.
Por Mendi shkroi në dokumentet e dorëzuara në gjykatë: “Mund të konfirmoj se kjo është e vërtetë. Të gjithë ata lojtarë morën pjesë në festat që çuan në akuza”. Kampionët e Premier Ligës ndaluan së paguari rrogën e Mendisë prej 500,000 £ në muaj pasi ai u akuzua për përdhunim dhe sulm seksual në gusht 2021 dhe u mbajt në paraburgim. Një numër grash e akuzuan atë se i përdhunoi në rezidencën e tij prej 4.6 milionë paundësh në Mançester, ndërsa të pranishëm ishin edhe futbollistë të tjerë të Mançester Sitit. Pezullimi i kontratës me lojtarin e vuri atë në vështirësi të mëdha ekonomike. Kampioni i Botës me Francën ra dakord për një marrëveshje prej 6 milionë paundësh në vit deri në vitin 2023 në “Etihad”, kur nënshkroi nga Monako për 52 milionë paund në vitin 2017. Klubi vazhdoi të paguante mbrojtësin pas arrestimit të tij të parë në 2020.
Por pasi u ngrit akuza, ai u pezullua nga klubi. Ai qëndroi 4 muaj në paraburgim përpara se të lirohej me kusht në janar 2022. Në shtator 2021 Siti e njoftoi se do t’i pezullonin rrogën. Ai doli përfundimisht i pafajshëm në dy gjyqet e janarit dhe qershorit 2023. Gjatë vështirësive të tij ekonomike, ai tha: “Nuk paguaja dot as mbështetjen financiare të fëmijës tim. Rahim Sterling, Bernardo Silva dhe Rijad Mahrez, të gjithë më dhanë para borxh për të më ndihmuar që të përpiqesha të paguaja faturat e mia të gjyqit dhe të mbështesja familjen time”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"