U bë “mur” ndaj vlonjatëve, portieri Harizaj: Apolonia duhet të marrë maksimumin në shtëpi
Pas asaj humbjeje dramatike ndaj El basanit, Apolonia ka reaguar në dy ndeshjet e radhës, ku fillimisht mundi 3-0 Burrelin në shtëpi dhe më pas mori një barazim 0-0 ndaj Flamurtarit në Vlorë.
Një nga pikat e forta të fierakëve këtë sezon është portieri Romeo Harizaj, i cili gëzon një formë të shkëlqyer dhe këtë e konfirmoi në Vlorë, ku arriti të evitonte gola të sigurt. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 25-vjeçari flet për ecurinë e deritanishme të kampionatit, si dhe synimet e klubit për t’u rikthyer në Superiore. Harizaj është i bindur se ky grup lojtarësh do të arrijë synimet në fund të këtij sezoni. Sipas portierit, në ndeshjet në shtëpi, Apolonia nuk duhet ta diskutojë fitoren, duke filluar nga kjo e shtunë kundër Tomorit.
Romeo, barazuat me Flamurtarin në transfertë. I kënaqur?
Të tregohem i sinqertë, Flamurtari është një ekip pretendent dhe një ndër rivalët tanë kryesorë. Personalisht jam shumë i kënaqur me barazimin, sepse e dinim shumë mirë që në Vlorë një pikë është e vështirë për t’u marrë. Kemi arritur një rezultat të kënaqshëm dhe më e rëndësishmja është që po ruajmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
Ishit protagonist kryesor me pritjet e njëpasnjëshme në Vlorë, e ndieni veten në formën më të mirë tashmë?
Me Flamurtarin ishte një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë, prandaj u thirra shumë herë në detyrë. Për fatin e mirë nuk pësova gol, kjo edhe falë ndërhyrjeve që bëra, por edhe lojës së mirë të ekipit në mbrojtje. Më gëzon fakti që Apolonia mori pikë, por detyra ime e parë është që të mbaj rrjetën e paprekur. Do të jem gjithmonë garanci dhe do të bëj më të mirën për të mos pësuar në vazhdimësi.
Referuar rivalitetit të këtij sezoni, e prisnit që Apolonia të bënte një nisje të tillë?
Të them të drejtën, ne kemi pasur kalendarin më të vështirë se të gjithë rivalët, pasi kemi luajtur shumicën e ndeshjeve jashtë fushe, plot katër në gjashtë javë. Apolonia ka marrë maksimumin e pikëve dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur për këtë gjë. Sa i përket tabelës, e prisja këtë klasifikim paraprak.
Sa larg mund të shkojë kjo Apoloni?
Apolonia me këtë grup lojtarësh profesionistë dhe me shumë talente në përbërje, njëkohësisht me sakrificën që bëjnë ditë pas dite djemtë, mendoj se do të ngjitet në Superiore. Objektivi ynë madhor janë dy vendet e para dhe po punojmë fort për këtë gjë.
Të shtunën përballeni me Tomorin në Fier, çfarë ndeshje prisni?
Pres që të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim rezultatin e radhës pozitiv. Nuk duhet të lëmë asnjë pikë në Fier. Objektivi ynë është një dhe i vetëm, fitorja.
Tomori i ka marrë pikë edhe Bylisit kryesues në transfertë. I druheni një kundërshtari të tillë?
Nuk i druhemi aspak Tomorit, por e respektojmë dhe vlerësojmë. Nuk kam një ide të qartë, përveç faktit që ata kanë pësuar shumë ndryshime. Gjithsesi, ne do të bëjmë më së miri lojën tonë, duke sakrifikuar të gjithë si ekip dhe të bashkuar mund t’ia dalim me sukses.
HILMI SALIU
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"