U dënua me 4.5 vite burgim për skandalin s*ksual në zyrë, Safet Gjici kërkesë gjykatës nga spitali për lirim me kusht

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2024 | 10:55

U dënua me 4.5 vite burgim për skandalin s*ksual në zyrë, Safet Gjici kërkesë gjykatës nga spitali për lirim me kusht

Zyrtarët e lartë të cilët janë arrestuar nga SPAK për shkeljet që janë nën juridiksionin e kësaj prokurorie, të gjithë kërkojnë hapësira ligjore për të tentuar lirinë me kusht.safet gjici alma kaciI radhës është Safet Gjici, ish-kryebashkiaku i Kukësit, i cili pa e nisur mirë detyrën për mandatin e tij, doli i përfshirë në një skandal seksual që tronditi mbarë opinionin. Ai u arrestua dhe u vu nën akuzën e abuzimit me detyrën, akuzë që në fakt nuk u pranua nga Gjykata e Apelit të Posaçëm e për pasojë atij bashkë me akuzën iu ndryshua edhe masa e dënimit nga njëra shkallë gjykimi në tjetrën.

Në fakt, Gjici tashmë gjendet në spital për shkak të problemeve shëndetësore, por prej aty nuk është ndaluar të kërkojë edhe lirimin me kusht duke e argumentuar se ai e ka përfunduar tashmë një pjesë të mirë të dënimit, ku përfshihet edhe koha e paraburgimit.

KËRKESA

Vetëm 3 muaj pasi u dënua me 4.5 vjet burgim nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, ish-kreu i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, kërkon të lirohet me kusht. Kërkesa e Gjicit është depozituar në Gjykatën e Elbasanit nga avokati i tij, Markeljan Janca. Ndërsa gjyqtarja që pritet të shqyrtojë këtë kërkesë më 14 tetor është zgjedhur përmes shortit elektronik dhe mësohet se është Suela Lika.

Për të bindur gjyqtaren se Gjici duhet të lirohet, ish-kryebashkiaku pretendon se ka vuajtur dënimin në masën e tre të katërtave, duke renditur edhe një sërë shkaqesh të tjera si shëndeti jo i mirë dhe arsye të forta familjare. Aktualisht Safet Gjici qëndron i shtruar në ambientet e një spitali, ndërsa është në pritje të marrjes në shqyrtim të kërkesës së tij për t’u liruar me kusht. Ish-zyrtari i lartë i Partisë Socialiste në Kukës, Safet Gjici, u arrestua pasi u filmua në zyrën e bashkisë duke kryer akte seksual me Alma Kaçin, video e cila më pas u shpërnda më tej në media dhe telefonat e çdo qytetari.

Skandali solli nisjen e një hetimi penal në SPAK, duke çuar në dorëheqjen e Gjicit si kryebashkiak dhe më pas në prangosjen e tij nga policia. Nën hetim, por me masën “arrest në shtëpi” u vendos dhe vajza qe e filmoi, Alma Kaçi. Çështja shkoi në gjyq me të dy protagonistët e video-skandalit. Ndërkohë para shpalljes së vendimit, Gjici kërkoi pafajësi, duke pretenduar se nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa i përlotur i kërkoi falje familjes dhe qytetarëve të Kukësit. Gjici u dënua me 4.5 vite burgim, ndërsa gjykata i hoqi dhe të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.

NDRYSHIMI I AKUZËS

Ish-kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, mori një zgjatje të masës së dënimit në shkallën e Apelit të Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi Apeli vendosi të prishë dënimin e shkallës së parë, i cili e dënonte atë vetëm për abuzim me detyrën dhe e dënoi atë për korrupsion. Për korrupsion u dënua edhe Alma Kaçi, gruaja që regjistroi një video në të cilën ajo dhe Gjici shfaqen duke kryer seks në zyrën e kryetarit të bashkisë si dhe duke biseduar për përfitimin e fondeve nga ana e Kaçit për ndërtimin e një qendre për trajtimin e qenve të rrugës në qytetin verilindor.

Gjici ishte dënuar në shkallën e parë për abuzim me detyrën dhe duhej të vuante 1 vit e gjashtë muaj burg, dënim që niste nga qershori i vitit të kaluar, ditën kur ai u arrestua dhe që pritej të përfundonte së shpejti. Por Gjykata e Apelit doli në konkluzionin se Gjici nuk duhej të dënohej për abuzim me detyrën, por për korrupsion aktiv. Rrjedhimisht ai u dënua me 4.6 vjet burg, nga të cilat do të duhet të vuajë 3 vite për shkak të përfitimit të gjykimit të shkurtuar./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"