U largua nga Pogradeci, reagon trajneri Nikaj: Ja pse dhashë dorëheqjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2024 | 12:03

U largua nga Pogradeci, reagon trajneri Nikaj: Ja pse dhashë dorëheqjen

Kastrioti i ka kthyer Pogradecit reston e humbjes së fazës së parë, kështu që krutanët e nisën me fitore fazën e dytë ku në “Redi Maloku” i fituan në shifrat 2-0. Dueli ka qenë mjaft i luftuar me liqenorët që me 10 veta që nga minuta e 32-të rezistuar deri në minutën e 56-të, kur Kapllani i aktivizuar nga stoli në pjesën e dytë, gjen rrugën e rrjetës.

kastrioti feston

Pogradecarët u drejtuan në këtë takim nga zv.trajneri Kopi Çerepi, pasi Samuel Nikaj ka qenë i pezulluar nga Disiplina dhe ndoqi sfidën nga shkallët e stadiumit. Me këtë trepikësh krutanët “blindojnë” vendin e katërt, ndërsa pogradecarët tani duhet të gjejnë timonierin e para pas dorëheqjes së trajnerit Samuel Nikaj.

NDESHJA- Takimi nisi me raste të shpejta për të dy ekipet, por më pas, për rreth çerek ore loja përqendrohet në mesfushë me dyluftime. Por pas periudhës së studimit krutanët marrin iniciativën duke ushtruar presion te porta liqenore, por Arojo, Ajazi dhe Çela nuk finalizojnë. Në minutën e 32-të Pogradeci mbetet me 10 lojtarë. Gjatë një dyluftimi në mesfushë, Ivani kryen një ndërhyrje të gabuar e të rrezikshme ndaj Çelës. Kryesori nuk heziton dhe i nxjerr karton të kuq. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura. Fraksioni i dytë nis me ndryshime te Kastrioti.

Nica aktivizon Kapllanin dhe Berishën, që ndryshojnë rrjedhën e lojës, ku sulmuesi durrsak ka dy mundësi që në start. Liqenorët edhe pse me një lojtar më pak, tregohen të rrezikshëm në të 50-ën me Danladin, por Puja shpëton portën nga një goli i sigurt. Në minutën e 56-të vjen goli për Kastriotin. Arroja nga e djathta e sulmit, afër vijës fundore, pason te Kapllani, i cili i pa mbuluar nga mbrojtja mike shënon dhe 1-0 për Kastriotin. Megjithëse miqtë nuk pajtohen me rezultatin, nuk e gjejnë golin e barazimit, ndonëse mundësitë i patën me Panadiç dhe Nikoloskin. Në fund të takimit, nga një gabim në mbrojtjen mike, Hoxha arrin që të finalizojë pasimin e Berishës dhe gjithçka mbyllet në shifrat 2-0 për Kastriotin.

KASTRIOTI – POGRADECI 2-0

GOLAT: Kapllani 56’, Hoxha 90’

KASTRIOTI: Puja, Qyra (Berisha 46’), Krasniqi, Doseh, Musaj, Moses, Kuka, Arrojo, Hoxha, Ajazi(Zuna 88’), Çela(Kapllani 46’); (Në: dispozicion: Jaupllari, Xhafa, Agius, Ndreu, Hodo, O.Kullaj). Trajner: Stavri Nica

POGRADECI: Jelovac, Pengu, Ivani, Hysenllari (Shkullaku 78’), Kastrati, F.Pius (Pere 36’), Kasmollari (Kazem 65’), Danladi, Duarte (Shkullaku 78’), Raza, Panadiç.(Në dispozicion: Beçka, C.Pius, Lila, Nallbati, Grazhdani, Nikoloski). Trajner: Kopi Çerepi

Kartonë të verdhë: Kuka 78’, Kapllani 82’/ Raza 28’, Pere 44’, Pengu 76’

Karton i kuq: Ivani 32’

Gjyqtarë: O.Ferhataj (Patos), M.Shazivari, D.Kasa (Tiranë)

Vëzhgues: Albano Janku (Tiranë)

Delegat: Astrit Maçi (Tiranë)

Trajneri

Nikaj: Ja pse u largova nga Pogradeci

nikaj

Samuel Nikaj nuk është më trajner i Pogradecit. Shkodrani e ka bërë publik vendimin e tij pas humbjes me Kastriotin, ndonëse këtë gjë e kishte vendosur më herët. Për “Panorama Sport” Nikaj tregon arsyen pse dh dorëheqjen nga drejtimi i Pogradecit: “Është një vendim që e kam marrë që pas humbjes me Korabin. Për arsye profesionale e kam shtyrë edhe këto 2 ndeshjet e radhës, në mënyrë që kolegu që do të vijë pas meje të ketë 2 javë kohë për t’i njohur me skuadrën. Nuk do të ishte  ‘fair play’ nga ana ime të ikja pas fitores me Apoloninë. Arsyet e dorëheqjes janë personale nuk kanë lidhje me ndonjë krisje me presidentin, lojtarët, apo ambientin sportiv në Pogradec. Gjej rastin ti falënderoj publikisht të gjithë pa përjashtim për këto 2 vite e gjysëm të kaluara së bashku, ku kemi kaluar ditë të mira dhe të këqija. Jam krenar për çfarë ka kam bëre këto vite, sepse klubi tashmë është në një nivel tjetër në të gjitha aspektet sportive. Uroj të arrijë objektivin ‘play off’ për ngjitjen në Superiore”. N.GOCI
Krutanët

Nica: Superiorë, po jo fitore lehtë

Trajneri i Kastriotit, Stavri Nica, më në fund ka vend për të buzëqeshur dhe për të falënderuar lojtarët e tij. Pas suksesit me liqenorët, trajneri Nica për “Panorama Sport” deklaroi: “Nuk ishte dhe aq e lehtë fitorja, pasi Pogradeci ka lojtarë mjaft cilësorë. Ne u treguam më superiorë, por rastet e humbura na vunë në siklet. Kërkohet qetësi para portës për të shënuar. Gjithsesi, nga kjo fitore djemtë përfituan shumë edhe sa i takon anës psikologjike. Kjo do t’i ndihmojë të zotërojnë më mirë topin dhe të jenë më agresiv para portës kundërshtare”. Me këtë trepikësh Kastrioti “blindon” vendin e katërt me 20 pikë, 9 më pak se kryesuesit e Flamurtarit.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"