U mbyll dekada larg elitës, bashkia harron… privatizimin e Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 20:17

U mbyll dekada larg elitës, bashkia harron… privatizimin e Tomorit

Një dekadë larg elitës ka Tomori dhe është vërtet shumë. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të klubit, në 10 sezonet e fundit kanë dështuar. Nuk janë ngjitur dot mes të mirëve të futbollit shqiptar, ndonëse kanë pasur raste që janë afruar vërtet.

TOMORI

Jo më larg se dy vite më parë luajtën edhe finalen e madhe të “play off”-it, paçka nuk e kaluan dot. Nuk mund të mohohet që cilësi kanë pasur në ekip, lojërat e mira nuk kanë munguar dhe as financat. E megjithatë, diçka prapë nuk shkon. Asgjë nga këto nuk kanë mjaftuar për të bërë hapin e madh, derisa për të fundit herë në Superiore kanë marrë pjesë në 2012-2013-ën.

Të gjithë faktorët në Berat kanë arritur në të njëjtin përfundim: privatizimi është handikapi i madh i këtij klubi shekullor. Kjo temë është prekur vazhdimisht, por pa marrë zgjidhjen definitive. Zgjidhje që do ta shpëtonte një herë e mirë ekipin e parë dhe ato zinxhirë. Vetëm me buxhetin e Bashkisë Berat (që duhet thënë nuk është kursyer kurrë dhe e ka mbajtur gjallë futbollin në këtë qytet), nuk mund të pretendohet rikthimi në elitë.

Berati ka aktualisht biznese të fuqishme, që të bashkuar do të mundësonin rikthimin e skuadrës në Superiore. Ndaj dhe është detyrë e institucionit vendor, që të testojë situatën dhe të marrë në konsideratë nisjen e këtij procesi. Në 100 vjetorin e themelit, kjo ndoshta do të ishte dhurata më e mirë për këtë klub futbolli.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"