U mbyll pa fitues në Cërrik. Shënohen 4 gola, Kukësi barazon në testin me Turbinën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 11:09

U mbyll pa fitues në Cërrik. Shënohen 4 gola, Kukësi barazon në testin me Turbinën

Shumë skuadra po shfrytëzojnë ndërprerjen e kampionateve për zhvillim ndeshjesh miqësore, në mënyrë që të mbajnë lojtarët të karikur, si një mundësi që stafet teknike të shohin gjendjen e lojtarëve në kushte loje.

TURBINA KUKESI

Gjatë pasdites së djeshme, në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut, u luajt një ndeshje miqësore mes Turbinës që po përgatitet për startin e kampionatit të kategorisë së Dytë, si dhe Kukësit që këtë sezon militon në të Parën. Në këtë test të dy trajnerët, Çutra dhe Spahiu, provuan lojtarë si dhe panë gjendjen e ekipeve. Minutat e para kanë qenë të qeta dhe pa raste konkrete, ku të dyja ekipet kanë studiuar njëra-tjetrën. Në minutë e 18-të vendësit shënojnë, ku afrikani Tofik gjuan fort nga 30 metra dhe 1-0. Në fund të pjesë së parë miqtë barazojnë me Ouen.

Në pjesë e dytë trajnerët bënë disa zëvendësime, për të provuar dhe lojtarët e stolit. Në fillim të këtij fraksioni Turbina kalon sërish në avantazh me Tofik, që shënon në minutën e 50-të. Barazimi i verilindorëve erdhi në minutën e 63-të, ku Beshiraj gjuan saktë. Në minutën e 75-të Beshiraj godet traversën e portës cërrikase, duke gjuajtur fort nga jashtë zone. Në minutën e 84-t, Belshi i ndodhur brenda zonës shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.

Xhynejt Çutra– Trajneri i Turbinës, pas ndeshjes u shpreh: “Jam i kënaqur me ekipin, pasi po merr formën e duhur. Rezultati nuk ka rëndësi për ne, pasi ishte një test për të parë gjendjen ku ndodhemi. Kemi punë për të bërë dhe presim përforcime, që i kemi të nevojshme”.

Ilir Spahiu- Trajneri i Kukësit për “Panorama Sport” tha: “Në këtë dhjetë ditësh po shohim disa elementë dhe kjo miqësore na shërbeu shumë. Presim sërish përforcime dhe do të formojmë një skuadër cilësore. Falënderojmë Turbinën për kushtet e mira që na krijoi dhe mikpritjen”.

Mariglen Miraka-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"