U nis me not nga Italia për në brigjet e Shqipërisë, Eva Buzo rrëfen 28 orët në det: Ishte e vështirë, por jam e lumtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2023 | 8:41

U nis me not nga Italia për në brigjet e Shqipërisë, Eva Buzo rrëfen 28 orët në det: Ishte e vështirë, por jam e lumtur

Pas më shumë se 28 orësh në det të hapur, atletja me origjinë shqiptare, Eva Buzo, e la sfidën në mes, teksa ishte nisur me not nga brigjet e Italisë drejt Vlorës. Me profesion avokate dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut, Buzo kishte një ëndërr që i erdhi ndër mend gjatë pandemisë së COVID, për të vizituar vendin e të parëve të saj.

EVA BUZO

Në rrugëtimin që ishte planifikuar që të zgjaste nga 35 në 40 orë, Buzo shoqërohej nga një ekip ndihmës i përbërë nga 12 persona dhe dy trajnerë australianë. Koordinimi teknik dhe logjistik u trajnua nga komandanti Piero Scaffidi. Gjatë përshkimit me not në udhëtimin e saj drejt Shqipërisë, Buzo ka pasur vështirësi në orientim dhe vetëdije, por edhe nga pickimet e gjallesave detare, ndërsa i është këshilluar ta ndërpriste aventurën. Në Portin e Vlorës e priste autoambulanca që shoqëroi drejt Spitalit Rajonal.

“Panorama Sport”, ndoqi nga afër konferencën për shtyp të Eva Buzos, pasi mori ndihmën mjekësore. Ajo tregon gjithçka ka përjetuar, por në fund është e kënaqur, pasi e arriti qëllimin. “Jam shumë e kënaqur me rezultatet që kam arritur. U mundova që të jap më të mirën, ishte e vështirë. Noti ka vështirësitë e veta. Në këtë notim ishte e vështirë me erën dhe i thash vetes fillo që të notosh. Fillova ngadalë dhe mendova që kur të vinte darka do të kisha më shumë shpejtësi, por nuk ndodhi, pasi u pickova nga një kandil dhe nuk e arrita qëllimin. Por edhe anijet e vogla që ishin vërdallë kishin efektin e tyre. Kur fillova që të notoja gjatë darkës kishte mjegull të madhe dhe ajo bëri efektin e vet. Gjithashtu planet e mia ishin që unë të arrija në Vlorë. Po e shikoja Shqipërinë gjithmonë dhe më pranë, por nuk po e kuptoja nëse po arrija në vendin e duhur.

Koha, darka dhe mjegulla ishin ato që nuk më lanë që të përfundoja. Në fillim e kam nisur me ngadalë ecjen me not në det dhe kur të binte mbrëmja do të kisha ecjen më te shpejte, por kjo nuk ndodhi pasi një kandil deti më goditi në krah dhe kjo ma uli ritmin e notimit, po ashtu dhe era apo anijet që lundronin aty ndikuan në ritmin e shpejtë të notimit. Kur nisa që të notoj gjatë darkës ka rënë një mjegull e dendur, po ashtu ajo kishte e efektin e saj në frymëmarrje, dhe të gjitha këto bën që të kishin efektin e vete për të mos përfunduar garën”, rrëfen Buzo. Eva Buzo foli gjithashtu edhe për lidhjen me Shqipërinë: “Gjyshi im ka lindur në Shqipëri. Ai emigroi më pas në Amerikë dhe më tej u vendos në Australi. Unë jetoj në Australi. Është një komunitet i madh shqiptar dhe dashuria që unë kisha për traditat nga gjyshi, doja që të sillja diçka në Shqipëri. Jam e lumtur për këtë”, përfundon Buzo. Në mars 2022, ajo notoi dy herë rresht në lumin Derwent, gjithsej 75 km në dy ditë. Më 13 korrik 2022, Buzo notoi përgjatë liqenit të Gjenevës për 69 km. Shumë pak njerëz kanë hyrë në këtë aventurë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"