U rrëzua nga kategoria këtë sezon, ekipi i njohur drejt shpërbërjes
Butrinti, pas zbritjes në Kategorinë e Dytë, pritet që të shpërbëhet. Por në Sarandë shpresojnë te një ndryshim strukture, edhe pse ligjërisht Komiteti Ekzekutiv duhet që të mblidhet një vit përpara për të vendosur për ndryshimet e strukturave të garave. Gjithsesi, skuadra sarandjote ka vijuar përgatitjet edhe pse shumë lojtarë në fund të këtij muaji dalin pa kontratë.
Butrinti i këtij sezoni kishte shumë pak lojtarë vendës në gjirin e vet, madje ata mund të dallohen me gishtat e njërës dorë dhe kjo ka qenë ndoshta edhe një nga gabimet e bëra në verën e shkuar. Ndërkohë, në pjesën e dytë morën hapësira lojtarë si Buxhelaj, Alinani, Kolonja, Barka apo dhe Çulli.
Por edhe këta, nëse do të kenë oferta, nuk është çudi që të largohen në Kategorinë e Parë apo dhe në Superiore, sepse janë lojtarë me perspektivë. Gjithsesi, në Sarandë presin të mësojnë nëse do të rikthehen lojtarët që u huazuar në Delvinë. Janë 4-5 futbollistë që janë titullarë, duke afruar edhe disa emra të spikatur dhe që premtojnë shumë për të ardhmen nga skuadra U-19, që garon në Superiore për të bërë bazën e sezonit të ardhshëm.
Butrinti i Kategorisë së Dytë mendohet të jetë ekip me pretendime për t’u rikthyer shpejt në të Parën. Për më tepër që është nga klubet me infrastrukturë të ngritur në çdo aspekt, si ana e terreneve, por edhe në atë organizative me ekipet e moshave dhe garancia financiare që nuk ka munguar kurrë.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"