“Ua kemi marrë dorën”, Kejn paralajmëron Gjermaninë: S’flas për “Euro 2020”, e di që lëndohen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2023 | 10:10

“Ua kemi marrë dorën”, Kejn paralajmëron Gjermaninë: S’flas për “Euro 2020”, e di që lëndohen

Herri Kejn po dhuron paraqitje dhe statistika “jashtëtokësori” në Mynih me klubin e Bajernit, aq sa të “grabisë” çdo rekord në Bundesligë e më gjerë, pavarësisht se po shijon sezonin debutues me rekordmenët e Gjermanisë. Të dhënat nuk lënë vend për interpretim, 18 gola në Bundesligë pas 12 javësh, shto 4 finalizimet në Champions, i pandalshëm.

kejn

Edhe pse më parë prezenca e një lojtari anglez në Mynih vështrohej si tabu, tashmë gjithë sytë e tifozëve bavarezë janë të varura tek aftësitë e 30-vjeçarit ishullor. Gjithsesi, në një prononcim të fundit për “FourFourTwo”, e cila ka pasur si temë parësore “Euro 2024” dhe ndjesitë e Herrit në ballafaqimet me Gjermaninë, kjo për faktin se ai tashmë ka filluar të hedhë “rrënjë” në taktikat e Bundesligës dhe përfshirja me boshtin e Gjermanisë, lojtarët e Bajernit.

“KËRCËNIMI” I KEJNIT

“Ekipi i Julian Nagelsmanit ka cilësi të mëdha në fazën ofensive me lojtarë të talentuar, bashkëngjitur përvojën e veteranëve. I konsideroj në grupin e pretendentëve. Kampionati Europian nuk ka skuadra të lehta, kështu që duhet të japim më të mirën, pavarësisht se kë kemi përballë. Mund ta hasim në rrugëtimin tonë edhe në Gjermani, ama misioni mbetet i qartë, shkuarja deri në fund. Jam koshient se ata japin më të mirën në kompeticione madhore, aq më shumë kur do të luajnë përballë tifozërisë së tyre, si armë shtesë. Është e vërtetë se ne kemi luajtur shpesh kohët e fundit kundër ‘pancerave’ dhe i njohim mirë. Mund të them se ia kemi marrë dorën”, vijoi mes të qeshurash Herri Kejn.

GOLI

”Po, më kujtohet qartë goli ndaj Gjermanisë në Europianin e kaluar. Ndjesi speciale t’i shënosh një kombëtareje elitare ne arenën e futbollit botëror. Megjithatë, jam përpjekur të mos e cek në stërvitje apo dhomat e zhveshjes te Bajerni. I sigurt se askush s’do të kënaqej, ekziston rreziku se mund të lëndohen. Pra, kam zgjedhur të rri në heshtje”, përfundoi lojtari me numrin “9” në kontigjentin e Tomas Tuhelit. Anglia dhe Franca kuotohen si pretendentët e mëdhenj në “Euro 2024”, ndërsa Gjermania vijoi të ketë probleme në prapavijë.

STATISTIKAT

Katër raste është aktivizuar Kejn në duelet ndaj përfaqësues gjermane. Interesante është se pyka e “tre luanëve” gëzon shifra mbresëlënëse karshi “pancerave”, 4 gola të shënuar dhe 1 asist, me një mesatare 1.2 përfshirë në finalizime për ndeshje.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"