Ultimatum në Vlorë, as barazimi s’pranohet në 3 javët në vijim. Flamurtari, duhen 9 pikë për të shpëtuar “lëkurën”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2024 | 12:57

Ultimatum në Vlorë, as barazimi s’pranohet në 3 javët në vijim. Flamurtari, duhen 9 pikë për të shpëtuar “lëkurën”

Në Vlorë ka ultimatum. Kërkohen 9 pikë për t’i shpëtuar operacionit “fshesa”. “Panorama Sport”, zbulon nga burime pranë klubit vlonjat se ndeshjet me Erzenin, Valbonën dhe Kukësin do të jenë vendimtare dhe nuk do të ketë asnjë tolerim për pikët e plota.

FLAMURTARI

Ndryshe nga sezonet e shkuara, këtë vit kërkohet me ngulm Superiorja, ndaj në rast të rezultateve negative në tri ndeshjen e radhës do të ndërhyhet menjëherë për të marrë masat. Për të gjithë fillon numërimin mbrapsht i orës, që nga ndeshja e kësaj të shtune, ku Flamurtari luan në transfertën e Shijakut përballë Erzenit.

MASAT – Në fakt, nuk do të jenë masa “fjalësh” apo “letrash”, por kësaj here Sinan Idrizi është i vendosur 100% për të mos lejuar askënd të mos respektojë fanellën, ndaj realiteti do të jetë i hidhur. Të gjithë janë të rrezikuar, nga trajneri Andrea Agostineli dhe deri te lojtarët. Idrizi do të qëndrojë vetë me letër dhe laps në dorë për të vlerësuar lojtarët në këto ndeshje. Nëse skuadra humbet, futbollistët të cilët do të paraqiten dobët, fjalën e kemi më shumë për të ardhurit e këtij sezoni që janë edhe më të paguarit, do të marrin direkt valixhet. Madje, klubi këtë sezon në klauzolë ka edhe prishjen e kontratës për futbollistët në mënyrë individuale, nëse rezultojnë të dështuar dhe nuk paraqiten pozitivisht në ndeshje. Drejtuesit u kanë dhënë lojtarëve këtë sezon 30% paradhënie. Në rast se do të largohen më përpara se të mbyllet faza e parë, ata duhet që t’i kthejnë mbrapsht. Ndërsa gjoba do të ketë për të gjithë, ku klubi mund t’u mbajë dy ose tre paga.

STACIONI I FUNDIT – Erzeni do të jetë stacioni i fundit për disa. Një humbje e Flamurtarit në Shijak do të ishte fatale, fillimisht për të ardhmen e trajnerit të Flamurtarit Andrea Agostineli. Idrizi është i vendosur që të bëjë ndryshime në panik, nëse vlonjatët do ta dalin të humbur nga Shijaku. Gjasat janë që të mos ketë një “falje” të dytë për italianin, nisur edhe nga reagimet e shumta të tifozëve në rrjetet sociale, që nuk pajtohen me këtë nisje të keqe të sezonit.

Jo pa përgjegjësi është edhe drejtori sportiv Artim Pollozhani, i cili erdhi në Vlorë si “truri” i merkatos dhe Idrizi i besoi gjithçka, duke i lënë dorë të lirë të zgjidhte lojtarët që donte. Në këtë aspekt përgjegjësia i vishet më shumë Pollozhanit se sa Agostinelit, që gjeti një skuadër thuajse të ndërtuar. Largime mund të ketë edhe në radhët e lojtarëve. Vetëm tri pikë, pasi as barazimi nuk do të jetë rezultati i duhur. Ndaj nëse do të duhet të “shpëtojnë lëkurën” nga drejtuesit, trajneri dhe lojtarët, duhet që të fitojnë fillimisht në Shijak, si dhe dy ndeshjet që do të vijnë më pas.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"