“Unë di t’i jap vetëm biçikletës”, Rama prezanton Xhiron 2025: Jemi në sytë e 800 milionë spektatorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2024 | 18:22

“Unë di t’i jap vetëm biçikletës”, Rama prezanton Xhiron 2025: Jemi në sytë e 800 milionë spektatorëve

Në Tiranë u zhvillua dje konferenca e prezantimit të Xhiros së Italisë 2025, ku siç dihet nisja (“Grande Partenza”) do të bëhet nga Shqipëria, me tri etapat e para që do të zhvillohen në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në konferencën, duke prezantuar evenimentin historike të çiklizmit, ku të pranishëm ishin gjithashtu edhe Paolo Belino, “RCS Sport CEO” si dhe Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit.

edi rama xhiro

Në fjalimin e tij Rama ndër të tjera nuk i kurseu as batutat: “Jam i lumtur që kemi mundur shumë të tjerë që janë më të mëdhenj e sigurisht më të pasur. Jam shqiptari më i përshtatshëm për të prezantuar këtë ngjarje sepse i vetmi mjet që di t’i jap është biçikleta dhe nuk është shaka. Nuk di t’i jap makinës, helikopterit, të pilotoj avionin. Di vetëm t’i jap biçikletës.

Jam vërtet i lumtur se për 3 ditë do të kemi kaq shumë kampionë, që do jenë miq në vendin tonë e për të cilët do flitet nga bota, por edhe për Shqipërinë. Në këtë ligë ka konkurrencë të pabesueshme sepse konkurrojmë me vende që janë të hapura prej shekujsh, kurse ne kemi vetëm 30 vjet e pak me tepër që jemi hapur. Gjithmonë thosha se Shqipëria është një Itali e vogël, tani vërtet jemi një Itali në anën tjetër të vendit, që mirëpret një ngjarje jo vetëm sportive. Jam i lumtur që do t’i tregojmë vendin tonë të mrekullueshëm 800 milionë spektatorëve në 200 stacione televizive në gjithë botën që transmetojnë drejtpërdrejtë Xhiron e Italisë”, deklaroi kryeministri Rama.

Gjatë fjalimit të tij në konferencën e prezantimit të “Giro d’Italia Grande Partenza”, Paolo Belino, CEO i “RCS Sport”, ndër të tjera e komentoi kështu nisjen e Xhiros nga Shqipëria: “Besoj se kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë, vendi juaj është gjithmonë në rritje dhe shpresoj që do të jetë një mundësi shumë e madhe shikueshmërie për botën, sepse çiklizmi është sporti më i mirë për të treguar, jo vetëm një rrugë çiklistike, por edhe vendin mikpritës. Pra, është rrëfimi i të gjithë Shqipërisë dhe do të kemi pamje të mrekullueshme. Shpresoj tek dielli dhe te gëzimi i shqiptarëve. Shpresoj që të dalin në rrugë dhe të bëjnë tifo, sepse kjo është ‘Xhiro e Italisë’, është një spektakël i çmendur”, u shpreh ndër të tjera Belino.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"