“Unë jam djalë i shtëpisë, nuk e mendova dy herë rikthimin”. Zguro: Pogradeci mes më të mirëve, i kemi elementët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2025 | 16:08

“Unë jam djalë i shtëpisë, nuk e mendova dy herë rikthimin”. Zguro: Pogradeci mes më të mirëve, i kemi elementët

Prej disa ditësh, mbrojtësi Vangjel Zguro është bërë pjesë e skuadrës së vendlindjes, Pogradeci. Më shumë se një rikthim nostalgjik, 31-vjeçari e konsideron si kontribut për skuadrën që e rriti dhe e formoi si futbollist.

zguro

Që në ndeshjen e parë ndaj Kukësit, Zguro ishte pjesë e formacionit liqenor, ku edhe paraqitja e tij ishte pozitive. Në intervistën e parë dhënë si lojtar i Pogradecit të sezonit 2024-2025, mbrojtësi i majtë tregon arsyet e rikthimit në vendlindje, ku fillimisht tha: “Zgjodha Pogradecin, sepse më bindi projekti i drejtuesve, të cilët kërkojnë ta rikthejnë futbollin pogradecar në elitën e futbollit shqiptarë”.

Duke qenë se karriera juaj është e pasur dhe keni lënë gjurmë me skuadrat ku jeni aktivizuar, pse zgjodhët rikthimin në Pogradec?

Ajo që më bindi është projekti i drejtuesve që duan ta rikthejnë skuadrën në kampionatin e më të mirëve. Duke qenë se unë jam dhe djali i shtëpisë, nuk kisha arsye të mendoja dy herë.

Si e vlerësoni ecurinë e skuadrës në këtë sezon futbollistik? 

Gjithmonë mundësitë kanë qenë për më mirë. Megjithëse ka pasur luhatje gjatë rrugës, përgjithësisht ecuria e skuadrës ka qenë e mirë. Me pak kujdes do të kishte një pozicion më të mirë në tabelë.

Ndaj Kukësit ishit pjesë e formacionit bazë, si e cilësoni debutimin dhe vetë ndeshjen? 

Në ndeshjen ndaj Kukësit, zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, por për fatin e keq rezultati përfundimtar nuk ju përgjigj lojës që ne zhvilluam. Ajo që mund të them, është se loja e skuadrës më “ngroh” dhe kjo është një arsye për të shpresuar për një Pogradec më grintoz në fushën e lojës.

Në fundjavë do të prisni Flamurtarin pretendent, cili është objektivi i skuadrës liqenore në këtë ndeshje shtëpie?

Si gjithmonë do të jetë marrja e tre pikëve. Loja që zhvilluam në transfertën e Kukësit jep premisa, që skuadra do të hyjë në fushën e lojës me objektiv të qartë, marrja e fitores.

Me përforcimet e bëra së fundmi deri ku mund të shkojë skuadra juaj në këtë kampionat?

E shoh me shumë optimizëm ecurinë e skuadrës në vazhdim. Jam i bindur se Pogradeci do të guxojë për më shumë se përfshirja e saj në zonën “play off”. Një optimizëm të tillë e bazoj te elementi që ka skuadra.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"