Universiada e Torinos 1970 dhe konkurrimi unikal i Shqipërisë. Protagonistët Dibra, Fagu, Pronjari e Dimraj rrëfejnë të pathënat e turneut ku çuditën botën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2024 | 21:36

Universiada e Torinos 1970 dhe konkurrimi unikal i Shqipërisë. Protagonistët Dibra, Fagu, Pronjari e Dimraj rrëfejnë të pathënat e turneut ku çuditën botën

Nga UVIL ZAJMI
Ajo ka qenë dhe mbetet e para dhe e fundit, një debutim që regjistron një konkurrim unikal e të vetëm historik shqiptar në një turne të tillë të përmasave botërorë. Pak i publikuar, komentuar, kujtuar, por jo i harruar nga protagonistët. Në një rikthim në ngjarjet e mëdha sportive, gazeta “Panorama Sport” do të publikojë sot të pathënat për Universiadën e Torinos në vitin 1970. Nga rekordi i Marjeta Pronjarit, te garat e Fatmir Dibrës, Rauf Dimrajt dhe rezultati surprizë në basketboll kundër kampionëve jugosllavë, me Agim Fagun protagonist.

Hapja e Universiadës së Torinos në vitin 1970

Hapja e Universiadës së Torinos në vitin 1970

LOJËRAT E GJASHTA UNIVERSITARE TË VERËS
Qyteti i caktuar për të organizuar Lojërat Universitare verore në vitin 1970 ishte vendosur Lisbona, por që më vonë do ta refuzojë, duke e detyruar Federatën Ndërkombëtare Sportive Universitare të gjejë tjetër shtet. Përfundimisht u caktua Italia dhe pikërisht qyteti i Torinos, që në vitin 1959 kishte pritur për herë të parë Lojërat Universitare Studentore. Gjithçka u programua të nisë me 26 gusht dhe të mbyllej më 6 shtator 1970, me një pjesëmarrje të 58 shteteve nga kontinente të ndryshme, në total me 2084 sportistë, nga të cilët 1542 meshkuj dhe 542 femra që konkurrojnë në 9 disiplina: atletikë, gjimnastikë artistike, basketboll, volejboll, vaterpol, skermë, not, tenis dhe kërcime në ujë. Mes tyre kishte edhe një formacion shqiptar.

Ceremonia hapëse u zhvillua më 26 gusht në stadiumin “Comunale” të Torinos, ku parakalojnë rreth 2500 sportistë, rekordmenë, trajnerë dhe drejtues. Rivalitet të madh parashikohet në garat e atletikës, ku do të garojnë një numër i madh atletësh shumë të njohur të botës. Lojërat në Pallatin e Sportit, Pallatin e Punës etj. Në ceremoninë hapëse, Shqipëria do të parakalojë e para, ndërsa pas saj Algjeria, Argjentina dhe Australia. Flamurin do ta mbajë basketbollisti Agim Fagu. Në përfundim, Bashkimi Sovjetik do të shpallet fitues me 58 medalje (26 ari, 17 argjendi, 15 bronzi) SHBA 51 (22, 18, 11) dhe Gjermania Lindore (15 (8, 3, 4).

Nje pjesë e grupit shqiptar në Universiadë, Pronjari ne plan të parë

Nje pjesë e grupit shqiptar në Universiadë, Pronjari ne plan të parë

VETËM 3 SPORTISTË DHE NJË… EKIP
Një veprimtari e pacaktuar nga rregullorja që konkurrimi do të jetë detyrimisht vetëm me studentë të shkollave të larta, që duhet të kenë lindur me 1 janar 1941-dhjetor 1952, si limite të moshës. Që duhet të kenë përfunduar studimet 3 vjet më parë, por lejohet konkurrimi edhe i atyre të sapo diplomuar, si dhe ata që nuk kanë përfunduar studimet para vitit shkollor 1867. Ekipi shqiptar do të përfaqësohet nga tre atletë, studentë, pedagogë: Mjeshtrja e Merituar e Sportit, rekordmenia Marjeta Pronjari e Studentit në pesëgarësh dhe kërcim së larti, rekordmeni Fatmir Dibra i Studentit në dhjetëgarësh dhe Rauf Dimra i Dinamos, rekordmen në 800 dhe 1500 metra.

Si edhe me një ekip basketbolli, meshkuj: Agim Fagu, Besnik Pëllumbi, Nikolin Pali, Bujar Shehu, Kujtim Kasmi, Viktor Papavangjeli, Gjergji Konomi, Raqi Bitintcka, të udhëhequr nga trajneri Xhoxhi Baho. Delegacioni kryesohet nga sekretari i klubit “Studenti”, Telat Verzivolli. Bashkë me ekipin është edhe Naim Pilku, gjyqtar basketbolli ndërkombëtar.

ISH-ATLETI I STUDENTIT  / Fatmir Dibra: Garova me shkop borxh, nuk e merrte avioni!

Një tjetër atlet rekordmen pjesëmarrës në Universiadën e Torinos ishte Fatmir Dibra i Studentit në dhjetëgarësh. “Kisha pak kohë që isha emëruar pedagog në IKF ‘Vojo Kushi’. Hera e parë dhe e fundit në një veprimtari të tillë”, kujton Dibra për “Panorama Sport”, si një pedagog emblemë e ILKF-së, por edhe si një ish-atlet elite për kohën.

Ish-atleti i Studentit, Fatmir Dibra

Ish-atleti i Studentit, Fatmir Dibra

Zoti Fatmir, në start të bisedës, si e mbani mend atë periudhë?
Ishim të rinj, emocione të mëdha para nisjes, dy javë nuk na zinte gjumë. Ka qenë hera e parë që dilnim jashtë shtetit dhe pikërisht në Itali. Më shumë edhe nga frika, do ishim pjesë në delegacion apo jo?! Kemi udhëtuar me autobusin “Robur” të Studentit, shofer Bimin dhe një avari para hyrjes në Shkodër na detyroi që atë natë të flinim aty. Me një autobus tjetër u nisëm të nesërmen për në Dubrovnik. Kemi mbërritur me një avion “Corvell” të vogël, që ishte francez.

Më i madh shkopi sesa avioni doni të thoni…?
Shkopin e kërcimit nuk e merrte avioni, ose gjetën një arsye, nuk e di për cilin motiv. Kështu nuk e mora shkopin e kërcimit, nuk ma lejuan ta fusja në avion, ishte e pamundur. U nisëm pa të dhe kur jemi kthyer, e kam marrë.

Si e kujtoni ceremoninë e hapjes?
Ceremonia e hapjes u organizua në stadiumin “Comunal”. Para se të niseshim na porositën kostumet zyrtare, një blu e bukur, qepur bukur dhe basketbollistët, trupa të gjatë, me stemën e republikës, bënin figurë. Kur dolën ne, ishim të parët “Albania”. Pati jehonë. Ato kostume i paguam me paratë tona, ndërsa unë kisha veshur një kostum popullor, me të cilin Gjoni Athanas, këngëtari i njohur në TOB-së, luante në shfaqjen “Skënderbeu”. Edhe Marjeta Pronjari me kostum popullor ka parakaluar.

Një konkurrim modest, siç e vlerësoni. Pse?
U habitëm kur pamë pistën e tartanit, sepse ishte hera e parë për ne. Gara ime vazhdoi dy ditë, arrita rezultate nën mundësitë e mia. Atje isha i detyruar të kërceja me një shkop tjetër të marrë borxh, i butë, që kisha frikë se mos thyhej, kur dihet që shkopit e kërcimit janë personalë. Edhe në gjyle, dola jashtë rrethit, ende pa dhënë komandën juria. Aty humba shumë pike, sepse nuk i njihnim rregullat. Emocione të mëdha të ishe në krah të sportistëve të njohur të kohës. Humba 200-300 pikë, duke zënë vendin e 17-të nga 35 konkurrues.

Ju kujtohet ndonjë nga konkurruesit?
Rekordmeni i botës në dhjetëgarësh, rusi Nikola Avillov, doli i pari me rreth 7760 pikë. Ishte sportist i madh për kohën. Një aktivitet i jashtëzakonshëm, një Olimpiadë e vërtetë. Kthimi në Shqipëri nga itinerari i vajtjes. Pa harruar të merrja shkopin në Dubrovnik. Ishte hera e parë dhe e fundit në një veprimtari të tillë.

REKORDMENIA DHE “MJESHTRJA E MERITUAR E SPORTIT”  / Marjeta Pronjari: Nuk e besonin që isha shqiptare

Marjeta Pronjari e kujton me shumë nostalgji Universiadën e Torinos në vitin 1970. “Aty unë vendosa një rekord të ri kombëtar që i mbyllte gojën komenteve dhe thashethemeve të specialistëve tanë në Shqipëri”- kujton Pronjari për “Panorama Sport”, pasi ka kaluar lartësinë 1.73 metra në kërcim.

Atletja rekordmene, Marjeta Pronjari

Atletja rekordmene, Marjeta Pronjari

Zonja Marjeta, ka qenë një konkurrim ndryshe për ju në Torino. Si e kujtoni?
U regjistrova të merrja pjesë në pesëgarësh, një disiplinë të cilën e praktikonim edhe në Shqipëri. Kishte një dilemë, pasi duhej alternuar stërvitja me garat. Ato zhvilloheshin në mëngjes dhe mesditë. Ishim 18 atletë, nuk kisha frikë. Në garë mobilizohesha totalisht dhe jepja gjithmonë rezultatin më pozitiv.

Vijmë te pesëgarëshi, cili ishte përfaqësimi juaj?
Aty unë kam thyer katër rekorde kombëtare: Në gjyle dola e treta me 12.66 metra; në kërcimin së gjati vendosa rekord të ri kombëtar nga 5.42 në 5.44 metra dhe në garën e 100 metra (jo 80 metra) me pengesa, një disiplinë e re për femra nga 15.9, përmirësova në 15.5 sekonda rekordin. Ishte gara e 200 metrave që nuk mora pikë. Për të ardhur te ajo e kërcimit së larti…

Flasim pak për ato gara, çfarë mbani mend më shumë?
Në atë Universiadë kam bërë dy konkurrime, në pesëgarësh dhe atë klasike. Në pesëgarësh dola e para me lartësinë 1.73 metra, një garë e vështirë, ku shumë prej atleteve e linin. E ngritën në 1.75 metra stekën, por nuk munda. Kjo garë më dha shumë pikë, duke u renditur e dhjeta në klasifikimin përfundimtar. Ndërkohë, pas dy ditëve në kërcim së larti, kalova 1.71 metra. Zura vendin e gjashtë, të barabartë me të 7-tin. Nuk ta besonte njeri, më thonin: “Çfarë je, shqiptare?!”, “Ku je stërvitur?”, më pyesnin. Iu dukej si çudi.

Ka jehonë, por që befason veçanërisht mjedisin shqiptar apo jo?
Po, sepse 1.73 metra ishte një rezultat i lartë, që vërtetonte se të gjitha arritjet në Shqipëri që nganjëherë edhe dyshohen, unë i konformova aty. Rekordi i mbyllte gojën të gjithëve, pasi ai u arrit në një stadium të huaj dhe nuk linte hapësirë për fjalë. Pati jehonë, në radio, deri në televizionin italian “Rai 2”, që dhanë sekuenca të kërcimit tim. Po kështu edhe në gazetën “Sporti Popullor”. Ka qenë një kënaqësi dhe lumturi e patreguar.

Një kërcim me “Brumel”, jo me atë modern…
Ndonëse kishte filluar të aplikohej stili “Fosburi”, unë konkurroja me barkush dhe nuk e ndryshova, pasi konstrukti im, stërvitja e kryer, ishin për Brumel. E kisha më shumë të zhvilluar, më shpërthyese forcën maksimale. Në stilin “Fosburi” shpina kërkonte trup të gjatë, gjymtyrë të hollë, kurse unë nuk isha në këtë kategori, prandaj qëndrova tek ai tradicional.

Ka një festë të veçantë pas kësaj arritjeje, na tregoni pak?
Ashtu si në Lajpcig më parë, edhe në Torino, ai shtator 1970 korrespondonte me datëlindjen time, të cilën e festuam të gjithë bashkë. Ishin ata të hotelit që kishin përgatitur një ceremoni festive shumë të bukur.

ISH-BASKETBOLLISTI MAGJIK / Agim Fagu: Tërhoqëm edhe vëmendjen e amerikanëve

Një veprimtari, ku do të jetë protagonist absolut Agim Fagu. “Ndonëse ishte universiadë e studentëve, aty konkurronin dhe merrnin pjesë sportistët ndër më të mirët e kohës. Në basketboll, Jugosllavia ishte në elitën botërore”, shprehet për “Panorama Sport” kolosi i koshit shqiptar, Agim Fagu, teksa flet për universiadën e Torinos 1970.

Çast nga një ndeshje e ekipit shqiptar të basketbollit

Çast nga një ndeshje e ekipit shqiptar të basketbollit

Zoti Fagu, si u veprua në përzgjedhje?
Kishte ardhur një rregullore me disa kritere bazike, që sportistët duhet të ishin student, pedagogë të institucioneve arsimore. Prandaj quhej edhe universiada studentore. Ekipi i basketbollit në fillim u përzgjodh si kombëtare, por nga Komiteti i Fizkulturës dhe universiteti u pa jo e arsyeshme, duke hequr ata që nuk ishin student dhe pedagogë. Mbetën disa që ishin edhe anëtar të ekipit përfaqësues si Bujar Shehu, unë, Gjergj Konomi, por që plotësonim kriterin. Përjashtim u bë vetëm për Kujtim Kasmin, që nuk ishte student. Për motive politike larguan korçarin Zhani Zengo, lojtar kryesor te Studenti.

Keni pasur edhe një mision specifik në atë veprimtari…?
Ishte mbajtja e flamurit. Më caktuan mua, që mbetet hera e parë dhe e fundit me një mision të tillë të rëndësishëm. Emocion i madh në atë hapje, ku ishim ne që parakaluam të parët. Duartrokitje pa fund në stadiumin “Comunal” të Torinos. Ajo ka qenë dhe mbetet një pjesëmarrje që e vlerësoj dhe e kujtoj me shumë nostalgji.

Flasim pak për takimin kundër Jugosllavisë, çfarë mbresash keni?
Shqipëri-Jugosllavi u zhvillua një ditë para se të hapej Universiada, sepse duhej të kombinonte kalendari që ndeshjet të mbaronin njëkohësisht me mbylljen. Takimi u luajt në pallatin e sportit dhe duke qenë se nuk kishte nisur aktiviteti, mungonte informacioni intensive. Pak shkruhej në shtyp për atë ndeshje dhe në pallat nuk kishte njerëz. Pikë më pikë, ndonëse një arbitër japonez skandaloz, sikur edhe jugosllav të kishte qenë, nuk do të bënte ato që bëri ai. Ndoshta ishte i paaftë, por pse vetëm për njërën anë! Ose ndoshta ishte kompleksuar përballë kampionëve të botës, Jugosllavisë.

Një fund vetëm me dy pikë?
Arbitri me nxori jashtë me 5 personale, edhe pse ata më futeshin rëndë. Çdo vendim i tij ishte në favor të tyre. Të kisha qenë deri në fund, kundërshtarët do ta kishin shumë të vështirë të fitonin. E morën 74-72 pas një rivaliteti deri në sekondën e fundit.

Ka një moment tensioni gjatë ndeshjes, e kujtoni?
Pati një incident. Siç thashë, jugosllavët luajtën ashpër ndaj meje dhe për të më markuar, kishin vënë një maqedonas. Ai ka luajtur disa vite me Kombëtaren, jo lojtar kryesor, por i vlefshëm për ta. Në një trehapësh në fundore, futem poshtë koshit, ai më shtyu, më përplasi te hekuari i tabelës. Pati një reagim nga Pëllumbi, më pas nga të gjithë. E rrethuan i futën duart në fyt. Erdhi arbitri, loja e qetësua dhe më pas nuk pati më probleme.

Surprizë janë një grup tifozësh që ndjekin takimin…
Nga gjysma e lojës futet një turmë e madhe. Ishte ekipi amerikan i basketbollit. U kishin thënë që luan Jugosllavia, kishin ardhur për ta parë. Qëndruan në këmbë, lojtarët njiheshin me njëri-tjetrin në botërore dhe olimpiada. Ndiqnin lojën, pikë më pikë, kanë nisur të pyesin çfarë është kjo “Albania”, aq më shumë që po rivalizojnë. Trajneri ishte një burrë i shkurtër, i thërriste me gojë që të iknim pasi kishin programin e tyre, por ata qëndronin aty. Madje na bënin neve me shenja, me duar si shenjë aprovimi pas një aksioni, veprimi të bukur apo koshi tonin. I nxehur, ai i thirri sërish, por ata nuk lëviznin. Kur ja dha vërshëllimës, atëherë ata u mblodhën dhe u larguan

Dikush kujtohet edhe nga Shqipëria për ekipin e basketbollit në atë kohë…
Të nesërmen pas takimit me Jugosllavinë, duke ngrënë drekë, vjen kamerieri dhe na thotë ka ardhur posta dhe ka një telegram për skuadrën. Menduam se ishte gabim, pasi kush mund të kujtohej për ne? E marrim, ishte në shqip e lexojmë: “Urime, urime, një mrekulli Shqipëria e Fagut”. Ishte nisur nga Shkodra, nga Bim Osmani, vëllai i madh i Petrit Osmanit, tifoz sporti, sigurisht i basketbollit. Pasi kishte dëgjuar për ndeshjen tonë me jugosllavët, kishte dërguar telegramin.

Si vijoi ai turne?
Ndeshja e dytë me Izraelin. Nuk luajtëm, refuzuam, por nuk na nxorën probleme. Humbëm me Rumaninë dhe për vendet 24-28 i mundëm me diferencë të gjitha ekipet. Senegali kampion i Afrikës, me lojtarët që u acaruan shumë kur e kuptuan se po humbitnin, pasi ne i qëndronim 8, 10, 12 pikë përpara. U renditëm të parët e atij grupi.

ISH-ATLETI DINAMOVIT / Rauf Dimraj: Garova në 800 dhe 1500 metra, italianëve u tërhiqja vëmendjen

Rauf Dimraj, ish-atleti i njohur, rrëfen për “Panorama Sport” ngjarjet e veçanta të Universiadës së Torinos. “Në rezultatet ndikoi edhe gjendja jo e mirë shëndetësore e imja. Duke qenë me syze, ua tërhiqja vëmendjen italianëve”, kujton profesori, kampioni, rekordmeni i shquar dinamovit.

Rauf Dimraj duke garuar me syze

Rauf Dimraj duke garuar me syze

Zoti Dimraj, diçka për përgatitjet e asaj universiade?
Dy-tre muaj para universiadës stërviteshim në stadiumin “Qemal Stafa”, në mjedisin e Institutit të Fizkulturës, pavarësisht nga kushtet edhe në stadiumin “Dinamo”. Fatmir Dibra kishte trajner Suat Jegenin, profesorin e tij, ish-kampion në këtë disiplinë, por që nuk erdhi atje. Edhe unë një trajner specialist të njohur, Zef Hilën, një tjetër mjeshtër, edhe këtë nuk e lejuan të vinte. Aty erdhi Taqo Duka, trajneri i Marjeta Pronjarit. Njeri shumë i sjellshëm, komunikues dhe i gatshëm për t’i ndihmuar të gjithë.

Mbërritja në Torino, si ishte sistemimi?
Pas një rruge të gjatë disa ditore, mbërritëm në Torino dhe na sistemuan në një hotel, ndërsa stërvitjet, ato para garave, i zhvillonim te aneksi i stadiumit. Nga udhëtimi i lodhshëm, kur mbërritëm aty, pata disa shqetësime shëndetësore.

A e konsideroni unikale atë pjesëmarrje?
Ajo ka qenë dhe mbetet një konkurrim i veçantë në karrierën time. Ndonëse pa eksperiencë në të parin kontakt me atletikën botërore, në një vend perëndimor dhe me atletë të njohur.

Na tregoni pak edhe për një detaj që i befason të gjithë në Torino…
Nga fakti që vrapoja më syze. Më mirëpritën, u bënte përshtypje të gjithëve. Spektatorëve, atletëve. Më shihnin, duke i kujtuar Livio Berutin, sprintierin e njohur. Syzet më veçonin pak nga të tjerët, tërhiqnin vëmendjen. I bënte kureshtarë dhe ndonëse me numër të lartë, nuk më pengonin, përkundrazi vrapoja pa probleme dhe lehtë.

Cili ishte rezultati?
Në baterinë kualifikuese në 800 metra, ku ishin atletë të njohur, në nisje, pata iniciativën, mora kryesimin, por në harkun e dytë më parakaluan. Koha ishte 1.54 dhe nuk u kualifikova. Po kështu edhe në 1500 metra me 3.58, nuk arrita rezultat të mirë. Në të dyja garat ndikoi edhe gjendja ime shëndetësore.

TURNEU I PAHARRUAR / Basketbolli shqiptar kundër Jugosllavisë kampione

Në turneun e basketbollit, Shqipëria sipas shortit do të jetë në grupin e dytë, së bashku me Jugosllavinë, Rumaninë dhe Izraelin. Në ndeshjen debutuese, ato 40 minuta nuk do të jenë favorizuese, pasi skuadra përfaqësuese do të këtë përballë Jugosllavinë me një formacion të forte dhe mbi të gjitha me 5 lojtarë kampion bote. Dhe Jugosllavi-Shqipëri përfundoi 74-72.

Shqipëria luajti me këta lojtarë: Fagu, Kasmi, Pali, Shehu, Papavangjeli. (U aktivizuan: Pëllumbi, Bitincka). Trajner: Xh.Baho; Jugosllavia kishte emra si Simonoviç, Rukavina, Kapiçiç, Cermak, Knjezhevic, Jehovac. Një takim me rivalitet, deri në fund të lojës. Pjesa e parë 37-35 për kundërshtarin. Spikatën Kasmi autor i 17 pikëve, Fagu 14, Pali 12, Papavangjeli e Shehu nga 10 pikë. Jellovac e Rukavina regjistruan nga 14 pikë, ndërsa Simonivoc e Knjezhevic nga 10 pikë.

Një ndeshje e konsideruar më e forta dhe e ekuilibruara e ditës së parë dhe këtë e tregoi rezultati. Gjatë lojës shifrat u barazuan disa herë dhe vetëm me përpjekje shumë të mëdha të disa prej lojtarëve, skuadra jugosllave mundi të fitonte me një kosh diferencë. Sipas komenteve të agjencive të ndryshme “ekipi jugosllav për pak sa nuk pësoi disfatë dhe e arriti me vështirësi fitoren, duke e siguruar në sekondat e fundit”.

Pastaj u luajt Rumani-Shqipëri 76-60 (37-35), ndërsa Shqipëri-Izrael 0-2 në tavolinë, pasi ekipi kombëtar shqiptar nuk u paraqit. Do të luhet për vendin 24-28. Shqipëri-Luksemburg 84-67 (48-27), Shqipëri-Sudan 116-74 (52-40), Shqipëri-Luksemburg (sërish përballë), 90-60 dhe Shqipëri-Senegal 83-71. Vendi i 24-t në përfundim të turneut. Ndërkohë, në atë kohë një veprim të tillë, duke refuzuar takimin me Izraelin bëri edhe skuadra e Algjerisë.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"