Valbona e gjen në Suedi recetën e… mbijetesës! Redon Raza: Pogradeci luan për një rezultat
Drejtori sportiv i Valbonës, Emiliano Gega, që pas largimit të trajnerit Vladimir Gjoni, ka kryer edhe detyrën e timonierit. Në takimin e sotëm kundër Pogradecit që do të luhet në Tropojë, Valbona vjen me dy zv.trajnerë.Përveç Osman Qelisë, që është dhe rithemeluesi i skuadrës së Valbonës, Gega do të ketë në krah edhe zv.trajnerin tjetër Astrit Frroku. Klubi nuk ka zyrtarizuar afrime lojtarësh në merkato, pavarësisht se shumë të huaj kanë qenë në provë gjatë këtyre 10 ditëve të fundit. Sa i takon largimeve, deri tani janë konfirmuar i Kevi Berberi, që sot pritët të luaj si ish në radhët e Pogradecit, si dhe Klasu Alinani dhe Brajan Marku. Zv.trajneri Astrit Frroku, i ardhur pas një përvoje në Suedi, nisi që punë në ndeshjen e Peshkopisë kundër Korabit dhe gjatë gjithë kësaj jave ka qenë në shërbim të skuadrës në seancat stërvitore.
Për “Panorama Sport” ai thotë: “Jam këtu së bashku me dy kolegët e mi, trajnerin Gega dhe zëvendësin Qelia, për të bërë diçka më mirë për Valbonën, si dhe për t’i ndihmuar futbollistët në seancat stërvitore. Ndoshta eksperienca ime mund të ndikojnë shumë te lojtarët. Kundër Korabit, unë vetëm sa u prezantova, ndërsa tani jam në dispozicion të skuadrës. Për Pogradecin, skuadrën e kemi përgatitur vetëm për fitoren. Situata në tabelë nuk është e mirë dhe tri pikët në Tropojë do të jenë një puls për të ngritur moralin dhe ecurinë e mëtejshme. Na presin ndeshje të vështira dhe rruga është shumë e ngarkuar dhe asnjë nuk të hap krahun. Vetëm me forcat tona dhe përkushtimin e lojtarëve, jam i bindur se skuadra do të mbijetojë”. ABDULLA DUSHKU
Pas barazimit ndaj Flamurtarit në shtëpi, Pogradeci ndihet gati për transfertën e sotme ndaj Valbonës.
Në prononcim e dhënë për “Panorama Sport” në prag të sfidës, mesfushori Redon Raza, mes të tjerash u shpreh: “Pavarësisht se morëm një pikë kundër Flamurtarit, zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë dhe me nivel. Paraqitje të tilla të japin shpresë që edhe në ndeshjet e tjera skuadra të ketë të njëjtin prezantim”. Ndeshja me Valbonën është vlerësuar nga liqenorët dhe sipas 26-vjeçarit, vetëm trepikëshi në Tropojë e mban skuadrën pogradecare në luftë për të qenë në gjashtëshen e parë. “Dihet që nuk ka ndeshje të lehta në kampionat. Kështu do të jetë dhe ndaj Valbonës, që do ta luajmë në transfertë. Për vetë pretendimet që ka skuadra për të qenë në gjashtëshen e parë, trepikëshi është objektivi i vetëm i Pogradecit sot”, u shpreh në fund të komentit, mesfushori Redon Raza. Pas 19 javësh, skuadra liqenore renditet në vendin e shtatë me 24 pikë, aq sa edhe Lushnja e vendit të gjashtë. NDERIM GOCI
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"