Valbona-Erzeni/ Llanaj i bindur për suksesin e tropojanëve, shijakasit në kërkim të pikës së parë
Valbona në pritje të fitores së parë, por pas prurjeve të fundit skuadra është plotësuar dhe goditja e fundit ka qenë irlandezi Udo, që shënoi dy gola në testin me Tërbunin. Tropojanët presin sot Erzenin në stadiumin “Vëllezërit Gega”, ku Valbona si debutuese vjen nga Kategoria e Dytë, ndërsa shijakasit zbritën nga Superiorja.
Sulmuesi i djathtë, Kevi Llanaj, është një nga prurjet e merkatos së verës te Valbona. Ai e njeh mirë Erzenin, pasi ka luajtur në Superiore në sezonin 2022-2023. Për “Panorama Sport” Llanaj pohoi se dulei ëhstë i vështirë, por ka besim te suksesi ndaj shijakasve. “Unë e konsideroj si ndeshje të vështirë dhe ne duhet të bëjmë shumë kujdes. Gjithsesi, nuk e humbas optimizmin për të marrë fitoren e parë në kampionat. Tek Erzeni kam luajtur dhe kam mbresa të paharrueshme nga kjo skuadër. Kështu që, gëzoj respektin maksimal për Erzenin. Tashmë ne jemi profesionistë dhe dëshirojmë të fitojmë. Valbona nuk është e ndërtuar vetëm për mbijetesën, por për të lënë disa ekipe prapa në tabelë”, u shpreh 25- vjeçari kryeqytetas. Drejtori-trajner, Emiljano Gega, është i pezulluar për këtë ndeshje nga Disiplina, pas kartonit të kuq të marrë në Burrel. I pezulluar është edhe Vidrica, i cili gjithashtu u ndëshkua me të kuq në javën e fundit.
Erzeni, drejt Tropojës për golin dhe pikët e para
Erzeni është skuadra e vetme në Kategorinë e Parë, që ende nuk e ka shijuar pikën e parë në kampionat. Në dy javët e para të besuarit e trajnerit Justin Bespalla janë mundur 1-0 në trasfertën e Kukësit, si dhe i ka mposhtur Flamurtari në shifrat 2-0 në Shijak. Një tjerët fakt që bie në sy në 180 minutat e parë është edhe mungesa e golit. Kështu që shijakasit kanë udhëtuar drejt Tropojës për të kërkuar gjërat e para të këtij sezoni në Kategorinë e Parë, golat e shënuar dhe pikët.
Erzeni është një ekip i formatuar rishtas ku spikasin lojtarët me moshë të re. Ndërprerja e kampionatit i ka vlejtur skuadrës shijakase, pasi trajneri Bespalla ka pasur më shumë kohë për të parashtruar idetë e tija, si dhe më kryesorja për të harmonizuar grupin. Shpresat mbeten te sulmuesit e huazuar nga skuadra të tjera, kryesisht nga të ardhurit nga Bylisi. Shijakasit shpresojnë që të marrin pikët e para në derbin e “lumenjëve”, Valbona-Erzeni që luhet sot në Tropojë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"