Valbona frenon Apoloninë në Fier. Pajaziti: Na mungoi finalizimi. Gega: Morëm një pikë shprese për mbijetesën
Barazim pa gola në sfidën e së shtunës mes Apolonisë dhe Valbonës, takim i cili u zhvillua në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, për shkak të gjendjes së rënduar nga reshjet në të cilën ndodhej fusha kryesore e stadiumit. Valbona, edhe pse me 3 lojtarë në stol, befasoi të zotët e shtëpisë duke barazuar pa gola dhe rrjedhimisht mori një pikë shprese.
Nga ana tjetër, Apolonia dominoi lojën, krijoi raste flagrante, por nuk shënoi dhe la dy pikë të vlefshme në shtëpi.
NDESHJA – Takimi nisi i qetë dhe i ekuilibruar për disa minuta. Me kalimin e minutave, vendësit ishin më kërkues dhe krijojnë epërsi me lojë e raste. Në të 11-ën, goditja me kokë e Umejiegos pritet nga Hoxha. 9 minuta më vonë, Trifoni kroson nga këndi, topi i ikën nga duart portierit Hoxha dhe goditet me kokë nga Umejiego, por “sfera” përplaset në traun e portës. Tropojanët bëhen konkretë në të 30-ën, ku Lala pason për Llanajn, i cili driblon Ndubuisin, godet fort me të djathtën, por portieri Kaçaj bën heroin. Në minutën e 38-të, Apolonia i afrohet golit.
Kapiteni Asllanaj vertikalizon për Trifonin, por gjuajtjen e tij e grushton portieri Hoxha. Në minutën e parë shtesë, mesfushori Bejzade lëshon një “predhë” nga rreth 20 metra, por portieri Hoxha reagon sërish bukur. Apolonia thekson dominimin edhe me startin pjesës së dytë, ku Umejiegon e ndal traversa për herë të dytë. Në të 56-ën, Bejzade tenton nga një goditje dënimi, por devijon Hoxha. Minutat kalojnë, vendësit kërkojnë ta zhbllokojnë lojën, por humbasin qetësinë në finalizim. Ndërsa tropojanët mbrohen mirë dhe arrijnë t’u bëjnë ballë me qetësi furisë së sulmeve fierake. Në të 82-ën, fierakët vendosen në vështirësi nga ish-sulmuesi Krasniqi. Pesë minuta më vonë, Valbona ka një mundësi tjetër për të marrë avantazhin me Llanajn, por topi përfundon jashtë. Takimi u mbyll në shifrat 0-0, ku skuadrat ndajnë nga një pikë, si në fazën e parë në Tropojë.
APOLONIA – VALBONA 0-0
APOLONIA: Kaçaj, Hebeja (O.Repaj 79’), Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Rakipaj, Topi, Bejzade, Rajmond (Çulli 88’), Trifoni, Umejiego. (Në dispozicion: Bushi, Musa, Maksuti). Trajner: Sedat Pajaziti
VALBONA: Hoxha, Lala, Farruku, Mashi, Lamçe, Zeqiraj, Uesli, Kamilo (Doçi 88’), Balla (Krasniqi 78’), Llanaj, Vidrica (Rosaj 76’). Trajner: Emiljano Gega
Kartonë të verdhë: Bejzade 37’ / Mashi 45’, Zeqiraj 63’, Lala 78’
Gjyqtarë: O.Sokoli (Tiranë), N.Likaj (Vlorë), B.Mesi (Tiranë)
Vëzhgues: Ndriçim Havari (Vlorë)
Delegat: Agim Mone (Tiranë)
Pajaziti: Na mungoi finalizimi
Sedat Pajaziti, trajneri i Apolonisë, pas ndeshjes, për “Panorama Sport” u shpreh: Nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Na mungoi rrjedhshmëria dhe finalizimi. Po nuk shënove së paku një gol, humb qetësinë dhe gabon. Prej disa ndeshjesh nuk luajmë mirë në shtëpi, vuajmë për të krijuar dhe shpërdorojmë shumë. Nuk kemi vazhdimësi loje dhe rezultatesh. Duhet të përmirësohemi. Mërzitem kur nuk fitoj, por unë i pari duhet të jem i ftohtë për ta kaluar këtë ngërç në shtëpi”.
Gega: Morëm një pikë shprese
Emiljano Gega, trajner i Valbonës, pas pikës së marrë në Fier, tha: “Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve. Ishim një trup i vetëm në fushë, u mbrojtëm mirë për të mos thënë ishim të pakalueshëm dhe normalisht jam i kënaqur me rezultatin final. E konsideroj këtë barazim në transfertë si një rezultat pozitiv, që na jep shpresë dhe na rrit moralin për pjesën e mbetur të sezonit. Erdhëm me shumë mungesa, kishim vetëm 14 lojtarë, por morëm një pikë të rëndësishme”.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"