Valbona-Kastrioti, sot ora 14:00/ Aluku: E nisim mbarë me trajnerin e ri. Krutanët drejt Tropojës me sytë nga Ajazi-Kapllani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2024 | 11:50

Valbona-Kastrioti, sot ora 14:00/ Aluku: E nisim mbarë me trajnerin e ri. Krutanët drejt Tropojës me sytë nga Ajazi-Kapllani

Valbona pret sot Kastriotin, takim i cili përkon edhe me debutimin e trajnerit të ri, Vladimir Gjoni. Esmerald Aliku është një nga afrimet e Valbonës në merkaton e verës. Në lidhje me ambientimin e tij si dhe sfidën me krutanët, ku kërkohet me çdo kusht fitorja, mesfushori me tipare sulmuese, për “Panorama Sport” u shpreh:

valbona fest

”Tani ndjehem mirë, pasi kalova një periudhë të vështirë për shkak të një dëmtimi kur luaja te Dinamo. Kur ndodhesh jashtë fushave të futbollit, si futbollist ndjehesh shumë keq. Te Valbona ndihem mirë, pasi kam plot shokë, me të cilët njihem prej kohësh. Këtu kam gjetur një ambient mjaft të ngrohtë. Synimet e Valbonës tashmë dihen. Mbijetesa në Kategorisë së Parë është synim dhe objektiv kryesor për këtë skuadër debutuese.

Në ndeshjen e sotme do të kemi përballë Kastriotin dhe shpresojmë të marrim tri pikët e mundshme. Kjo, edhe për ta frymëzuar më shumë trajnerin e ri të skuadrës, që është adrenalina e ekipit”. Trajneri Gjoni ka pranuar të marrë drejtimin e Valbonës në një situatë jo të favorshme. ABDULLA DUSHKU

Kastrioti drejt Tropojës me sytë nga Ajazi-Kapllani

Kastrioti do të përballet sot në orën 14:00 në Tropojë ndaj Valbonës. Skuadra e trajnerit Nica vjen në këtë duel nga humbje 1-0 që pësoi në shtëpi ndaj Flamurtarit, ndonëse me lojën e zhvilluar meritonin një pikë. Këtë e pohon edhe trajneri Stavri Nica, që prej tre javësh ka marrë drejtimin e Kastriotit. Ai ka mbetur i kënaqur nga paraqitja që bëri dyshja e sulmit Ajazi–Kapllani, edhe pse në javët e fundit kanë harruar të shënojnë. I pari, ka marrë minuta të plota në çdo ndeshje, ndërsa Kapllani justifikohet se ka ndikuar mos prezenca në formacionin si titullar në disa takime.

kastrioti

Kur ekipi drejtohej nga Dorian Bubeqi, Kapllani në disa takime ka hyrë në fushë nga stoli. Ndaj Valbonës pritet reflektimi i dy sulmuesve, nga të cilët kërkohen edhe golat. Kërkohet që sulmi të jetë efektiv në Tropojë. Takimi ka marrë vëmendje të shtuar dhe kjo është parë gjatë seancave stërvitore. Në rast të një fitoreje, krutanët mbeten në ndjekje të treshes kryesuese, Flamurtari-Besa- Vora. Në këtë takim kërkohet që ekipi të përsërisë transfertën e Kukësit, ku fituan 0-1. SHKELQIM HASANI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"