Valbona “ngrin” në shtëpi, matjanët shpërthejnë me 4 gola. Bicaj: Vendosi i kuqi i portierit, ja çfarë i duhet Burrelit në janar
Burreli ka fituar me “poker” në Tropojë duke mundur Valbonën e mbetur me një lojtar më pak nga minuta e 41-të. Me fitoren 4-0 në transfertë, matjanët e trajnerit Bicaj “blindojnë” venin e pestë me 20 pikë, ndërsa tropojanët rrezikojnë shumë, ku kësaj radhe trajneri Vladimir Gjoni nuk ia doli dot ndaj vendlindjes.
Pavarësisht këtij rezultati, ndeshja ka qene një spektakël i vërtetë. E luftuar, me sulme e kundërsulme nga të dy skuadrat, sidomos në 45-minutat e para. Dalja me të kuqe e portierit Marku në minutën e 41-të, ndikoi shumë si në aspektin psikologjik edhe në sforcimin e lojtarëve të mbrojtjes, që harxhuan shumë energji. Loja ka qenë e barabartë në 45 minutat e para si në qarkullimin e topit edhe në rastet e shënimit, por mungojnë gjuajtjet në portë. Në minutën e 37-të, Aluku jep asist për Lamçen që gjuan, por pret Dani. Në të 41-tën aksion i bukur i Burrelit me Hotin që del vetëm me portierin Marku, i cili lë portën dhe në hyrje të zonës ndërhyn ndaj tij dhe largohet me karton të kuq si lojtari i fundit. Trajner Gjoni bën lëvizjen e parë, nxjerr sulmuesit Kovaçi dhe fut portierin rezervë Hoxha, por edhe ai ka pasur një dëmtim të mëparshëm.
Në të 43-tën, brazilian Helio shënon golin e parë me një gjuajtje tokas brenda zonës. Në pjesë e dytë, Valbona kërkon golin e barazimit, por mungesa e një lojtari e ndëshkon me tre gola të tjerë. Farruku, Zani dhe autogoli Lamçes i japin fitoren e thellë Burrelit 4-0. Në të 73-ën minutë, Farruku shmang një mbrojtës dhe del vetëm me portierin Hoxha dhe sulmuesi nuk e ka të vështirë të shënojë, duke qenë 7 metra larg portës. Në të 82-ën Florenc Farruku shërben për Zanin brenda zonës, i cili gjuan nga rreth 10 metra larg portës dhe shënon. Tre minuta m pas ishte Zani që godet nga jashtë zonës dhe topi përplaset tek Lamçe që devijohet në rrjetë, duke u shkaktuar autogol. Me rezultatin 4-0 për Burrelin u mbyll i gjithë takimi.
Zv.trajneri- Humbja e thellë i ka shokuar tropojanët. Trajneri Gjoni nuk mund ta pranonte atë humbje sa për mediat u prononcua zv.trajneri Osman Qelia. “E pa papranueshme kjo humbje e thelle. 4 gola nuk janë pësuar as me tre pretendentët, Vora, Besa apo Flamurtari. Kartoni kuq na dëmtoi dhe na çorientoi shumë, pasi edhe portierin e dytë e kishim të dëmtuar. Duhet ta harrojmë shpejt këtë humbje dhe të rikthehemi tek fitorja në ndeshjen kundër Erzenit në Shijak”, u shpreh Qelia për “Panorama Sport”.
VALBONA – BURRELI 0-4
GOLAT: Helio 44’, F. Farruku 73′, Zani 82′, Lamçe 85′
VALBONA: Marku, Lala, A. Farruku (Uesli 52’), Mashi, Lamçe, Zeqiraj (Vidrica 63′), Aluku, Kamilo (Laval 51′), Kovaçi(Hoxha 42′), Llanaj (Balla 64’),Krasniqi; (Në dispozicion: Rosaj, Doçi,Alinani, Udo). Trajner: Vladimir Gjoni
Burreli: Dani, Fetaj (Pasmaçiu 86’), Shkalla, Muriel, Helio, Dedgjonaj, Paloka (Osikel 66’), Arango (Murra 87’), Hoti (Zani 43′) Rrapi (Sina 87’), F. Farruku; (Në dispozicion: Dreshaj, Pjetraj) Trajner: Ditmar Bici
Kartonë të verdhë: Helio 35′
Karton i kuq: Marku 41′
Gjyqtarë: B. Dragusha, J. Podgorica (Shkodër), O. Loci, E. Gryka (Fushëkrujë)
Vëzhgues: Pajtim Llapi (Shkodër)
Delegat: Skënder Abdyli (Lezhë)
Ditmar Bicaj
“Vendosi i kuqi i portierit, ja çfarë i duhet Burrelit”
Trajneri Ditmar Bicaj përgëzoi lojtarët e tij për fitoren e thellë, por edhe tropojanët për kushtet. “Në radhë dua të përgëzoj Valbonën për kushtet e krijuara dhe klimën e ngrohtë që gjetëm në Tropojë. Një ambient sportiv fantastik. Ndeshja ishte vështirë, por e kishim përgatitur për fitore. Pas daljes së portierit mik me karton të kuq ndryshoi totalisht loja, shënuam, dyfishuam dhe mendoj se nuk kishte më histori ndeshja. Përgëzoj lojtarët për atë që arritën dhe Valbonës i uroj suksese në vazhdim.
Burreli ka objektiva ndryshe këtë sezon, duam zonën ”play off”. Po ecim me ritme të mira, por duhet të jemi seriozë në punën tonë dhe të stërvitemi që të shkojmë sa më lart në renditje. Merkato? Në përgjithësi jam i kënaqur me grupin. 80% e grupit do të ruhet dhe mund të kemi 2-3 afrime në repartet që ne mendojmë. Na duhet një dublues për Farrukun në sulm se është i vetëm, por mund të kemi edhe ndonjë mesfushor qendre ku kemi pasur shumë dëmtime dhe penalizime”, tha Bicaj pas ndeshjes për “Panorama Sport”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"