“Valbona nuk është ajo e fillimit, të korrigjojmë finalizimin dhe të fitojmë”. Nurja: Barazimi në Shijak, “pengu” i Besës
Besa mbylli fazën e parë me 3 pikë larg dy kryesuesve, Flamurtari dhe Vora, ndonëse udhëhoqi tabelën nga java e parë deri të shtarën. Verdhezinjtë dështuan të fitonin në shtëpi ndaj dy rivalëve kryesorë si Flamurtari dhe Vora.
Nëse kundër vlonjatëve u pranua nga trajneri Josa se barazimi ishte i drejtë, ndaj Vorës kavajasit patën mjaft ankesa ndaj gjyqtarit. Ndërkohë që Vora “urtë e butë” arriti të fitonte në Shijak e Krujë duke e parakaluar Besën. Sa i përket barazimit në Shijak, mbrojtësi Joni Nurja pranon se Besa mund të bënte më shumë. “Jemi vetëm 3 pikë larg vendit të parë, pra vijojmë të jemi në garë. Gjatë fazës së parë morëm 4 barazime. Merak kam vetëm barazimin në Shijak, ku mund e duhet të bënim më mirë, pikërisht aty ku dy rivalët tanë fituan. Gjykoj se kemi zhvilluar lojëra mjaft të mira, me dinjitet dhe ‘fair play’ në çdo fushë ku kemi luajtur.
Besoj se edhe në ballafaqimin me Flamurtarin, ku na mungoi vetëm goli, dëshmuam vlerat dhe forcën tonë. Natyrisht që mund dhe duhet të ishim ne kryesues në tabelë, por është luajtur vetëm faza e parë. Do të kemi një garë të gjatë dhe të vështirë përpara. Ne besojmë fort, se Besa i ka të gjitha kualitetet, forcën, besimin për të vijuar garën deri në fund për të arritur atë objektiv që kemi caktuar në fillim të sezonit, që mbetet rikthimi në Superiore”, u shpreh Nurja. Kavajasit i pret një kalendar i favorshëm në fazën e dytë, ku do të luajnë më shumë në shtëpi se sa jashtë. Për Joni Nurjen, Besa është e fokusuar te ndeshja e radhës dhe nuk bën llogari pikësh.
“Përpara kemi takimin me Valbonën, një ekip që fitoi në Lushnjë duke treguar se është rritur dhe nuk është më ajo Valbonë që e mundëm në Tropojë. Ndaj, po përgatitemi për një ndeshje jo të lehtë, ku çdo nënvlerësim mund të na kushtonte rëndë. Jemi të detyruar të kthehemi te fitorja, së pari pasi luajmë në shtëpi dhe së dyti nuk duhet të lejojmë që rivalët tanë të na largohen me pikë. I vetmi shqetësim që kemi ka të bëjë me finalizimin para portës të rasteve për shënimit, që në fakt nuk na kanë munguar në asnjë ndeshje. Me Valbonën, pikërisht këtë duhet të korrigjojmë dhe besoj se do rikthehemi te fitorja”, u shpreh Nurja për “Panorama Sport”.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"