Valbona pa kapitenin të dielën kundër Besës, portieri Marku beson te mbijetesa e tropojanëve
Valbona e nis fazën e dytë në transfertë, ku të dielën në orën 14:00 do të jetë përballë Besës në stadiumin “Arena Egnatia”. Për tropojanët, kampionati ka qenë më i suksesshëm në transfertë sesa në ndeshjet në shtëpi.
Trajneri Vladimir Gjoni, këtë javë është munduar të gjejë lojtarin që do të zëvendësojë kapitenin Agustin Mashi, si mbrojtës i qendrës. Ai ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe do të jetë një mungesë e rëndësishme për Valbonën. Brajan Marku, portieri më shtatlartë i kampionatit të Kategorisë së Parë, 1.96 cm, ka debutuar në ndeshjen kundër Lushnjës dhe bëri një paraqitje fantastike, teksa mbajti të paprekur portën. Për “Panorama Sport”, portieri Marku u shpreh: “Valbona do të mbijetojë dhe nuk do ta diskutojë këtë gjë.
Përpos pozitave jo komode në të cilat ndodhemi aktualisht, mendoj se nuk është aspak e vërtetë që nuk kemi rrugëzgjidhje. Deri në fund të sezonit janë për t’u zhvilluar dhe dy faza të tjera, çka na jep të drejtën që të shpresojmë në rikuperimin e pikëve që kemi lënë në 11 javë. Misioni ynë i mbijetesës nuk është aspak i lehtë, por na duhet të luftojmë në çdo ndeshje për të marrë maksimumin. E rëndësishme është që të mundohemi të përqendrohemi në fushë, në mënyrë që të arrijmë suksesin. Shpresoj shumë se edhe kundër Besës mund të marrim pikë”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"