Van Nistelroi dorëzon çelësat e Junajtid me fitore: E shijova shumë
Bruno Fernandesh shënoi në paraqitjen e tij të 250-të për Mançester Junajtid, duke luajtur një rol kryesor, teksa Rud van Nistelroi e mbylli në mënyrë perfekte detyrën e përkohshme në stol, me një fitore 3-0 në Premier Ligë ndaj Lestërit.Kapiteni portugez shënoi golin e parë dhe detyroi një të dytë, i cili u quajt si autogol i Viktor Kristiansenit, përpara se të shërbente Alehandro Garnaçon për të tretin, ndërsa Junajtid regjistroi fitoren e tretë në katër ndeshje që kur Erik ten Hag u shkarkua. Holandezi ofroi një platformë pozitive për trajnerin e ri Ruben Amorim që do të fluturojë në Angli sot, megjithëse do të kalojnë disa ditë para se ish-trajneri i Sportingut të marrë lejen e tij në mënyrë që të mund të fillojë zyrtarisht punën.
Junajtid nuk ka konfirmuar ende stafin e ekipit të Amorimit dhe nëse Van Nistelroi do të jetë pjesë e tij. “Ishte një paraqitje profesionale, mund të shihje se lojtarët po luftonin gjatë lojës. Ne shënuam dy gola të mrekullueshëm dhe kishte disa pjesë të mira, por ne nuk kishim kontroll të vërtetë të ndeshjes. Ishin tre pikë të rëndësishme. Në këto katër ndeshje, Bruno shënoi disa gola të rëndësishëm, duke asistuar gjithashtu, kështu që ai është kthyer duke prodhuar.
Ky është Bruno që po e ndihmon më shumë skuadrën. Kjo aventurë më pëlqeu shumë. Ishte një periudhë e shkurtër por e mrekullueshme. Jemi në një pozicion të pasigurt, por u përpoqëm të bëjmë punën tonë dhe të ndihmojmë klubin që është i rëndësishëm.
Ka shumë ndjenja atje, mënyra se si tifozët më kanë mbështetur mua dhe skuadrën gjithmonë në momente të vështira, ka qenë një moment i veçantë. Ne tani do të mësojmë se cili është plani i mëtejshëm. Kjo detyrë ishte një përgjegjësi shumë e madhe dhe unë e mora shumë seriozisht”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"