Varësia në lojë, largimi i janarit “befason” Partizanin/ Klubi nuk ka gjetur ende pasues
Arinaldo Rrapaj në këtë sezon duket aq i përfshirë dhe aq i rëndësishëm në lojën e Partizanit, saqë largimi i tij me siguri “tremb” çdokënd në klub.
Pavarësisht se në verë ishte drejt largimit dhe u përball me një zhgënjim, i riu nuk e uli aspak ritmin në fushën e lojës, madje rriti rëndësinë e tij në skuadër me kontributin e dhënë.
23- vjeçari në 15 ndeshje në këtë sezon ka tundur rrjetën 4 herë dhe ka dhuruar 3 asiste. Për tu shënuar është edhe stabiliteti i tij sa i përket gjendjes fizike. Që nga viti 2021 ai ka luajtur plot 145 ndeshje me fanellën e Partizanit dhe ka humbur për shkak dëmtimi vetëm 9 ndeshje.
LARGIMI – Siç e kemi raportuar tashmë, Rrapaj do të largohet drejt kampionatit ukrainas te skuadra e Kolos Kovalivkës. Kjo e fundit ka arritur marrëveshjen me Partizanin për shifrën e 600 mijë eurove, plus 20% të kartonit në rast rishitjeje në vazhdim. Në ditët apo javët e ardhshme lojtari pritet të kryejë vizitat mjekësore për të përmbyllur komplet operacionin.
PASARDHËSI – Pavarësisht se largimi i Rrapajt pritej të ndodhte që para një viti, te Partizani sërish nuk e kanë një zëvendësues të tij. Megjithatë, merkatoja e janarit është përpara dhe mbetet të shihet nëse të kuqtë do të arrijnë të transferojnë një lojtar të kalibrit të 23-vjeçarit.
Fakti është që para pak muajsh u largua Maget dhe u pa qartë se Partizani nuk ishte e aftë të gjente nga merkatoja një lojtar me cilësi të ngjashme me senegalezin. Mbetet të shihet rasti i Rrapajt.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"