Vazhdimësia, kjo fjalë e panjohur për Juventusin! Fitoret radhazi mes Europës dhe Serisë A datojnë në tetor
Te Juventusi vazhdon mungesa e vazhdimë sisë. Apriori mund të duket si diçka që nuk bën sens, nëse flasim për një skuadër që ka vetëm 2 humbje në këtë sezon, por problemi mbetet i madh.
Fitoret e “Zonjës së Vjetër” deri në këtë pikë të sezonit, janë më pak se gjysma e ndeshjeve (40%). Nga 30 ndeshje të luajtura, vetëm 12 janë fituar. Kështu tifozët me të drejtë kanë filluar të sulmojnë formacionin e Motës, që nuk po arrin dot të fitojë dy ndeshje radhazi që kur mposhti Kaljarin në Kupë e më pas Monzën e cila është e fundit në kampionat. Nëse kërkojmë raste të tjera, duhet të kthehemi shumë më pas.
MUNGESA E VAZHDIMËSISË
Duket sikur ka kaluar një jetë e tërë, në këto 112 ditë ku kanë ndodhur shumë gjëra. Për ta kuptuar më mirë, duhet të sillet në vëmendje se kur kanë ndodhur 2 fitoret e fundit radhazi të Juventusit mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve. “Dopieta” e fundit e fitoreve, vjen në një kohë kur Gleison Bremeri sapo ishte dëmtuar, dhe Juventusi fiton një ndeshje heroike në Lajpcig me 10 lojtarë kundër 11 kundërshtarëve. Ishte pikërisht 2 tetori, vetëm 4 ditë pasi “Zonja” kishte triumfuar edhe ndaj Xhenoas dhe atëherë tabela e klasifikimit i buzëqeshte bardhezinjve. Në fazën e kampionatit në Ligën e Kampioneve, Juventusi udhëhiqte me pikë të plota, ndërsa në Serinë A, ishte vetëm 1 pikë larg udhëheqësve, Napolit.
GABIME QË PËRSËRITEN
Emergjenca e krijuar nga dëmtimet ka ndikuar shumë në rendimentin e Juventusit, por për ta zhvilluar edhe më shumë këtë problematik kanë qenë shanset e shpërdoruara. Pas suksesit prestigjioz në Champions kundër Sitit, Juvja ndalet në sfidën e radhës nga Venecia. Pas fitores së radhës ndaj Monzës, e ndal Fiorentina, ndërsa triumfi që i dha zemër kundër Milanit, në fakt u pasua me një barazim pa gola ndaj Bryzhit. Nëse kundër Fiorentinës problemi kanë qenë shanset e shumta të pashfrytëzuara, në Belgjikë, Juventusi ka bërë shumë hapa pas, sidomos në raport me fillimin e sezonit.
Vërtetë nuk ka pësuar gol, por gjithashtu nuk ishte e aftë për të krijuar raste shënimi. Probleme që alternohen dhe përsëriten vazhdimisht. Kështu, tabela e klasifikimit e sheh në luftë për një vend në zonën Champions, aty ku është pas Lacios, ndërsa në Europë nuk arriti dot të zinte një vend mes tetë më të mirave. Shansi i fundit ishte ndaj Bryzhit, një sfidë e lehtë në letër, por që nxori shumë problematika në pah për “Zonjën e Vjetër”. Të infektuar nga “virusi” i barazimeve, Mota dhe lojtarët e tij duket sikur fjalën vazhdimësi e kanë të panjohur në fjalorin e tyre. Pas çdo triumfi që mund t’i shtojë besimin skuadrës, pason një rezultat zhgënjyes që i zbret me këmbë në tokë, zhgënjen tifozët dhe mbi të gjitha kritikohet ashpër.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"