Verilindorët udhëtojnë me grup të plotë. Kukësi me “oreks”, në Pogradec për fitoren e radhës
Kukësi nesër do të jetë mysafir në Pogradec, aty ku do të synojë të vazhdojë ecurinë e rezultateve pozitive radhazi në kampionat. Dy fitoret e fundit, ndaj Valbonës dhe Korabit, duket se kanë rritur “oreksin” në kampin verilindor,për të marrë një tjetër fitore.
Në Kukës duan ta shfrytëzojnë në maksimum momentin pozitiv që po kalojnë, pas disa javëve jo të mira, kur edhe prekën fundin e renditjes. Për fat të mirë, trajneri Çela pritet të ketë një organikë të plotë, pasi nuk ka asnjë lojtar të ndëshkuar me kartonë dhe me probleme fizike. Rikthehet pas një pezullimi njëjavor mbrojtësi Ouen, i cili në javët e para ka qenë një futbollist titullar në ekipin e Çelës. Gjatë seancave stërvitore të kësaj jave, trajneri ka dhënë udhëzimet se si duhet të sillet skuadra në fushën e lojës.
Ajo duhet të karakterizohet nga grinta sportive, si mënyra më e mirë për t’i marrë maksimumin çdo lojtari dhe ndeshje. Sakaq, pozicioni që mban në klasifikim i jep një farë qetësie për ta përgatitur sfidën si duhet, pse jo të tentojë maksimumin e mundshëm. Deri tani, Kukësi ka koleksionuar 9 pikë në 6 takime, me një bilanc prej tre fitoresh dhe po kaq humbjesh dhe pozicionohet në vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"