Veseli e bën 11-shen titullare si luftë, por Egnatia shkon në “alarm” përballë Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 22:15

Veseli e bën 11-shen titullare si luftë, por Egnatia shkon në “alarm” përballë Teutës

Egnatia nuk e ka nisur sezonin me hapin e vjetshëm dhe në këto tetë ndeshje nuk ka arritur të krijojë diferenca me të tjerët, ndryshe nga çfarë pritej pas merkatos me emra të mëdhenj që zhvilloi. Skuadra e Tetovës ka humbur edhe kreun, pasi renditet e treta me pikë të njëjta me Vllazninë dhe një më pak se Partizani.

veseli

KALENDARI – Megjithatë, rrogozhinasve kalendari u jep një asist për të marrë veten dhe për të ndjekur hapat e sezonit të ardhshëm. Në këtë sezon çdo rival është i vështirë, por kur luan në shtëpinë tënde ke një bonus jo të vogël. Dhe pesë ndeshjet e radhës, Egnatia katër prej tyre i luan në shtëpi. Rrogozhinasit presin Teutën në ndeshjen e javës së nëntë, teksa më pas në shtëpinë e kampionëve zbarkon Dinamo. Në javën e 11-të skuadra e Tetovës udhëton në Laç përpara se të luajë edhe dy ndeshje të tjera në shtëpi ndaj dy rivalësh direkt, fillimisht Tiranës e më pas Vllaznisë. Gjatë kësaj fushate ndeshjesh rrogozhinasit do të bëjnë maksimumin që të arrijnë kreun ose të paktën të ecin me hapin e kryesuesve.

MBROJTJA – Me ardhjen e Federik Veselit, konkurrenca në mbrojtje pritet të jetë akoma më “e ashpër”. Skema më e përdorur nga trajneri Tetova është ajo me tre mbrojtës qendre, çka tregon se për tre pozicione në 11-shen e parë do të luftojnë pesë mbrojtës, që për hir të së vërtetës janë të një niveli shumë të lartë, që çdo ekip i Superiores do t’i kishte zili. Kapiteni Malota, Xhemajli, Dylis, Alijev dhe ish-mbrojtësi i Kombëtares do të duhet të mposhtin konkurrencën e njëri-tjetrit për të fituar besimin e Tetovës.

POR “ALARM” – Gjithsesi, duhet thënë se në ndeshjen e radhës me Teutën, pavarësisht emrave të mëdhenj në përbërje, reparti difensiv mbetet në alarm. Ndeshja luhet të shtunën dhe dy nga lojtarët janë angazhuar me kombëtaret dhe ende nuk i janë bashkuar ekipit në stërvitje.

Bëhet fjalë për Fransua Dylis, i cili luajti 45 minuta në fitoren 5-3 të Haitit kundër Arubës dhe Zamig Alijev, që nuk arriti të marrë minuta me kombëtaren e Azerbajxhanit. Ata nuk janë stërvitur me ekipin, çka përbën problem për praninë e tyre në formacion. Të vetmit të gatshëm para rikthimit të tyre janë Malota dhe Xhemajli, me Veselin, që pritet të kërkojë kohë ambientimi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"