Vëzhgim nga Besnik Dizdari/ Përngjasimet me rënien e Kombëtares të nëntorit ‘24

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2024 | 16:27

Vëzhgim nga Besnik Dizdari/ Përngjasimet me rënien e Kombëtares të nëntorit ‘24

Nga BESNIK DIZDARI
Për një çast të duket se me rënien befasuese të saj, datuar 19 nëntor 2024, nuk gjen asnjë përngjasim. Dhe kur pranon se ra një Kombëtare, e cila para pesë muajve ishte një nga 24 finalistet e Kampionatit Europian, vetvetiu thua se rënia befasuese e saj nuk përngjason me asnjë rënie tjetër të saj.

Besnik-Dizdari

Ndërkaq, historia na thotë se ka ndodhur që menjëherë mbas fitimit të titullit Kampione e Ballkanit më 1946, jo larg, por vetëm mbas krejt pak muajve, në vitin 1947, Shqipëria pat rënë keqas kësisoji: Shqipëria-Rumania 0-4, Bullgaria-Shqipëria 2- 0, Hungaria-Shqipëria 3-0, Shqipëria-Jugosllavia 2-4! Madje kjo rënie erdhi edhe pse në krye u rikthye trajneri i ngritjes së madhe: jugosllavi Ljubia Broçiç, i cili para pak e kishte drejtuar Shqipërinë në titullin Kampione e Ballkanit.

Ndërkaq, një vit më vonë ajo u ngrit përsëri. Tash pamja e ngritjes së saj në Kampionatin Ballkanik dhe të Europës Qendrore, nën drejtimin e trajnerit Adem Karapici shfaqej në këto tri ndeshje të bujshme: Rumani-Shqipëri 0-1, Shqipëri-Hungari 0-0, Jugosllavi-Shqipëri 0-0. Europa e futbollit gati ndali frymën, teksa përjetoj këto tri mrekulli të një vendi të vogël, madje përballë dy fuqive të mëdha europiane si Hungaria e Jugosllavia.

Dhe ja që, thuajse rrufeshëm, mbërrijnë vitet e rënies 1949 e 1950, sidomos ky i fundit, me Shqipëri-Rumani 1-4, Çekosllovaki-Shqipëri 3-0 dhe me kulminacionet Hungari-Shqipëri 12-0 dhe Rumani-Shqipëri 6-0! Padyshim edhe me një ndikim të arratisjes së dy titullarëve të saj, Bahri Kavaja e Bule Vathi. Për fat, mbërrijnë vitet fatlume 1952 e 1953 dhe kemi tri fitore të pashlyeshme: Shqipëri-Çekosllovaki 3-2 e 2-1 dhe Shqipëri-Poloni 2-0! Kuptohet, këto në ndeshje miqësore, por duhet të hyjmë në asokohe për të kuptuar vlerat e mëdha të këtyre miqësoreve, kur ende Kampionati Europian nuk ishte themeluar.

Dhe bash këtu nis rënia thuajse dërrmuese. Do të ishte një rënie që ka zgjatur tejet. Ka qenë një rënie krejt “origjinale”. Ka qenë një rënie jo duke luajtur futboll, por duke mosluajtur futboll. Shteti komunist, edhe pse sportin nuk e nënvleftësonte, madje në mënyrën e vet e vlerësonte jo pak, papritmas e ndaloi Kombëtaren! Merre me mend: ajo do të ishte një ndalesë për bukur 10 vjet! Ndonëse dy herë asaj i dhanë dy leje të shkurtra: 1957 Kina-Shqipëria 3-2 dhe 1958 RD Gjermane-Shqipëria 1- 1.

I paharrueshëm barazimi me gjermano-lindorët, çka tregonte që edhe nga rënia e pamëshirshme, tash në formë ndalese për të luajtur, Kombëtarja e Shqipërisë kishte forca për t’u ngritur. Por Shteti tha prapë “ndal”!

Ai do të priste ngritjen më të çuditshme. Do të ishte një ngritje që nuk do të luhej asesi në fushën e blertë. Do të ishte një ngritje që nuk shihej. Vetëm do të lexohej. Do të lexohej kështu në kancelaritë e UEFA-s: 1962 e 1963: Shqipëri-Greqi 3-0 e 3-0 me vendin tryeze, sepse Greqia nuk pranonte të luante me Shqipërinë ngaqë kjo së bashku me Italinë fashiste e kishte pas sulmuar e pushtuar madje, atë në vitin 1940. Dhe Shqipëria nga rënia e mungesës së madhe, drejt e në ngritjen lartësore të debutimit saj të Kampionatit Europian: hyn në 16 ekipet më të mira pa luajtur asnjë minutë!

Kjo ishte ngritja abstrakte, por duke shpresuar se mund të vinte ngritja konkrete në turin tjetër, tash jo duke mosluajtur, por duke luajtur, pra. E vërteta është se Shqipëria thuajse shkatërrohet 0-4 në Danimarkë, por në kthim arrin të fitojë 1-0 dhe eliminohet thjesht për punë golavarazhi. Kjo ishte fitorja e parë në pjesëmarrjet e saj në kualifikimet euro-botërore. Ishin Topi, Deliallisi, Halili, Frashëri, A.Mema, Shllaku, Zaho, Bushati, Pano, Bukoviku, E.Ibërshimi. Trajner Zyber Konçi. Të gjithë lojtarë të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë! Jo si sot pra!…

Ky është viti 1963, paralajmërues i vitit 1964 kur përsëri mbërrin rënia. Janë humbje rresht: 0-2 e 0-2 me Holandën, 0-2 e 0-1 me Zvicrën dhe 1-4 me Irlandën e Veriut. Një rënie e dukshme, por të cilën e flak tej, deri në një jehonë europiane, madje dita e 24 nëntorit 1965. Në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ai që për kapricio qeveritare sot nuk është më, ndodh Shqipëri-Irlandë e Veriut 1- 1! Barazim! Çka shkakton eliminimin e irlandezo-veriorëve britanikë prej Botërorit 1966 në të mirë të Zvicrës. Ishte Shqipëria e Loro Boriçit me M.Janku (23), Frashëri (24), Halili (25), Kasmi (24), A.Mema (22), Shllaku (27), Andoni (18), R.Ragami (21), Zhega (19), Haxhiu (22), Rudi (22). Në kllapa për lexuesin e respektueshëm (jo për plagjiatorët) kam dhënë moshën e secilit futbollist. Këto shifra janë për një sesion shkencor historik të Kombëtares, Vështroni: dy lojtarë nën 18-19 vjeçarë, Andoni e Zhega; një lojtar 21-vjeçar, R.Rragami; tre lojtarë 22- vjeçarë, A.Mema, Haxhiu e Rudi! Të gjithë të Kampionatit të Shqipërisë. Jo si në Kombëtaren e humbjes me Ukrainën e së martës që shkoi, kohë e sotme kjo, kur pa mëshirë mendohet se Shqipëria nuk formoka më talente të futbollit!…

Ky barazim 1-1 bëri bujë të madhe edhe ngaqë të gjithë lojtarët irlandezo-veriorë i përkisnin Kampionatit më të fortë të Botës, që ishte ai i Anglisë. Të tillë si Jennings (Tottenham), Harvey (Sunderland), Neill (Arsenal), McIlroy (Stoke City), Crossan (Manchester C.), Irvine (Burnley), Dougan (Leicester) me në krye George Best të Manchester United i cili aktualisht konsiderohej lojtari më i mirë i Europës.

E, sot po më pëlqen ta përcaktoj këtë ndeshje si një duel sado modest që mund të përcaktohet, i Kampionatit legjendar të Anglisë dhe atij “të vogël” të Shqipërisë datuar 1965. Ndonëse kjo histori e pashlyeshme për ne, nuk më huton.

Dhe me gjakftohtësi qëndroj te tema e kësaj eseje të historisë së Kombëtares, ndërsa rëniet e së cilës prap se prap nuk rreshtin.

Mbërrin viti 1966 dhe Shqipëria Komuniste nuk luan asnjë ndeshje, teksa viti 1967 mbërrin me rënie të pamëshirshme, nën këtë pamje: RF Gjermane-Shqipëria 6-0, ShqipëriaJugosllavia 0-2, Jugosllavia-Shqipëria 4-0. Dhe “stop”!

Fati “hyjnor” i kishte rezervuar Shqipërisë ditën e 17 dhjetorit 1967 dhe sensacionin e një jehone botërore të të famshmit rezultat 0-0 me RF Gjermane. Kjo ishte ndeshja që i dhuron Jugosllavisë së Titos biletën për në finalet e Europianit 1968 ku ajo do të mbërrijë deri dy finalet dramatike me Italinë. Italisë së asokohe, e cila përveç të tjerave, i kishte vënë embargon pranisë në kampionatin e saj të lojtarëve të huaj.

Dhe këtë e them për kujtesë të Shqipërisë së sotme, e cila më e pakta që do të duhej të bënte do të ishte pakësimi në minimum i lojtarëve të huaj në kampionatin e saj dhe ndalimin, pse jo, drastik madje, të lojtarëve të jashtë Kampionatit të Shqipërisë në Kombëtaret e saj të 17, 19 e 21-vjeçarëve. Ma do mendja se për këtë nuk ka nevojë për një guxim. Ka nevojë vetëm për t’i thirrur ndërgjegjes, shpirtit kombëtar, që mbarten përherë edhe përmes futbollit…

Duke iu kthyer temës së këtushme të historisë, Shqipëri-RF Gjermane 0-0 përbën një nga çuditë më të mëdha të Kombëtares. Kësisoji nga që ky barazim sensacional ishte i vetmi që kërkonte të linte mbrapa një rënie të madhe krejt të freskët: 4 ndeshje me tri humbje, asnjë fitore, asnjë gol i shënuar. Por vetëm me këtë barazim epokal.

Këtu po më pëlqen ta ndal këtë “prozaizëm” historik, për të pohuar se kështu ka ecur dhe kështu do të ecte edhe për shumë kohë historia e Kombëtares së Shqipërisë: shumë më tepër me rënie se me ngritje, shumë më tepër humbëse se sa fituese.

Mbas kaq vitesh “gabimisht” po më duket se atij që i pëlqente më shumë se askujt tjetër ky grafik, ishte shteti komunist, i cili pranonte rënien, i gëzohej jo pak ndonjë ngritjeje të veçuar dhe mandej pa mëshirë sanksiononte rënien artificiale duke nënshkruar mospjesëmarrjen në Kampionatet e Europës dhe të Botës.

Do të ndodhte që pamëshirë për tri vjet (1967-1970) ai e shuan Kombëtaren. E politizoi deri në kulm eliminimin e Gjermanisë kapitaliste, u gëzua deri aty sa s’ka ku shkon më, e megjithatë e dënoi skuadrën për të mos luajtur plot 3 vjet, deri më 1970 kur papritmas ia dha lejen për Kampionatin e Europës dhe atë të Botës.

Kanë qenë plot 12 ndeshje, përsëri të rënies. Por megjithatë, djemtë fort të talentuar të asokohe, ndonëse në kushte përtej më modestes, kanë luftuar për një ngritje që shfaqej në dy ndeshje vërtet të mëdha të Kampionatit të Europës: Poloni-Shqipëri 1-1, teksa kujtoj se skuadra polake e asokohe konsiderohej ndër skuadrat më të mira të Europës me në krye më të mëdhenjtë e saj Dejna, Lubanski e Gadoha. Mandej sidomos Shqipëria – 3-0 Turqisë së Fenerbahçes e Gallatasarajt të themeluesit Ali Sami Frashërit!

Kjo ishte ndeshja e fundit për atë edicion të Kupës së Europës prej ku vetvetiu mendohej vazhdimësia për te një ngritje. Nuk do të ndodhte kështu. Në edicionin e ri të Kupës së Botës, Shqipëria pëson 5 humbje të pandalshme (Finlanda, Rumania, RD Gjermane), çka ndikimi i fitores 1-0 në ndeshjen e kthimit me finlandezët, thuajse mbetej i papërfillshëm.

Me këtë rënie të re do të fiksohej viti fatal 1973, i cili do të shënonte rekordin e madh të rënies përmes mospjesëmarrjes më dërmuese se kurrnjiherë. Po mbërrinte dekada (1973-1980) ku Shqipëria do të vetpërjashtohej nga pjesëmarrjet e saj në Kampionatet e Europës dhe të Botës. Kishte mbërritur i ashtuquajturi Plenumi IV i Komitetit Qendror të Partisë së Punës që flakte tej çdo gjë të huaj, thuajse çdo vlerë të huaj, çdo kulturë të huaj, çdo veprimtari të huaj edhe në rang kampionatesh kontinentale të futbollit.

Kjo ka qenë rënia më e pamëshirshme e futbollit shqiptar të Kombëtares. Çudia është ndërkaq, se kjo kontrastonte me rritjen e dukshme të skuadrave të Kampionatit të Shqipërisë. Një kampionat të cilin edhe pse është i para 50 vjetëve, nuk gaboj aspak kur them se bukuria dhe vlerat e tij ia kalojnë këtij të sotmit me vetëm 10 skuadra. Caktoni shkencëtarë të futbollit – nëse keni të tillë – dhe ta hulumtojnë.

Këtu po e mbyll këtë “Kapitull I” të kësaj historie të re të jetës së Kombëtares së Shqipërisë – në të vërtetë një historie “e vjetër”, por e parë në një vështrim të ri. Kështu, thjesht ngaqë më nxiti rënia e papritur e Kombëtares së Shqipërisë 2024 “falë” humbjes në Tiranë 1-2 me Ukrainën për Ligën e Kombeve të Europës. Çka për fat krejt papritmas na çon vërtet te një bilanc rëniejeje që të duket se ngjason me këto që përshkruam këtu.

Dhe vështroni tash bilancin e vitit 2024 për te finalet e KE dhe këto të Ligës së Kombeve: 9 ndeshje, vetëm 2 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje me golavarazhin negativ 7-11. Dhe në vendin e fundit në grup!

Më saktë rënie në Kategorinë e Tretë të kësaj Lige të Kombeve, që është Liga C dhe që UEFA jonë e dashur na e ka organizuar në stilin “arkaik” të kampionateve kombëtare të shteteve. Kjo është gjuha e pamëshirshme e bilanceve. Ndonëse kurrë kjo nuk është absolute dhe mohuese e vlerave të ndeshjeve të bukura që edhe kjo Kombëtare e Shqipërisë ka zhvilluar, sidomos në finalet e Kampionatit Europian 2024. Mirëpo, kjo që kësaj here po synoj të bëj, natyrshëm sikur shndërrohet në një histori tjetër pra, që është historia e bilanceve të Kombëtares. Dhe dihet, historia e bilanceve flet vetëm me shifrat e rezultateve. Që do të thotë se ajo humbjet e fitoret i quan po me të njëjtin emër: fitore dhe humbje!

Në numrat e ardhshëm të gazetës nuk parashikoj nëse do të arrij që ta përsiat “me sukses” përngjasimin e rënies së këtij fundviti 2024 me të tjerët. Për një gjë them se do të jem me fat, megjithatë. Se duke filluar me vitin 1980, Shqipëria nuk do të mungojë më asnjëherë në garat kualifikuese euro-botërore. Kësisoji do t’i dorëzohem “duelit” përngjasues “rënie-ngritje”, pa parashikuar qysh sot se në ç’kah ai do të rëndojë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"