VEZHGIMI/ Nga trajneri te kapiteni, Elbasani ka disa kampionë të mësuar me trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 21:23

VEZHGIMI/ Nga trajneri te kapiteni, Elbasani ka disa kampionë të mësuar me trofe

Elbasani do patjetër të lërë gjurmë në debutimin në Superiore. I kanë shprehur hapur ambiciet dhe duan që ta mbyllin këtë edicion me të paktën një trofe dhe sigurisht që do të nënkuptonte edhe pjesëmarrjen në Europë sezonin e ardhshëm.

elbasani

Për këtë arsye drejtuesit janë duke lëvizur në merkato, duke nisur nga trajneri dhe më pas lojtarët. Mirëpo, që të tentosh të fitosh tituj dhe të jesh kompetitiv, një skuadër duhet që në gjirin e saj të ketë një grup të mbushur me elementë kampionë. Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport” skuadrës nuk i mungojnë kampionët dhe fituesit e trofeve, si sa i përket kampionatit, ashtu edhe kupës. Bëhet fjalë për 12 kampionate dhe nëntë kupa, me një total prej 21 trofesh të fituara nga skuadra aktuale e Elbasanit.

TRAJNERI – Në fakt, deri më tani Elbasani ka goditur në shenjë me trajnerët, pasi me të gjithë ka arritur synimet, ndonëse nuk kanë vazhduar gjatë me këtë klub. Ajo që bie në sy tek timonierët është se të gjithë kanë qenë ish-kampionë kur kanë qenë lojtarë. Duke nisur nga Gentian Stojku, më pas një periudhë të shkurtër Eriol Merxha apo edhe Nevil Dede. Mirëpo, edhe Roberto Bordin vjen nga një e kaluar si kampion, por ndryshe nga ish-kolegët e tij, sa i përket drejtimit dhe jo si lojtar.

Tekniku italian vjen në Elbasan pas dy titujve të fituar në kampionatin moldav me skuadrën e Sherif Tiraspol në elitën e këtij vendi. Gjithashtu, ai ka fituar edhe dy kupa në këtë shtet po me këtë skuadër, pa llogaritur më pas edhe arritjet më të ulëta në ligat inferiore me skuadrat e tjera. Mbetet për t’u parë nëse edhe në Elbasan do t’ia dalë të fitojë trofe, në një kohë që në këtë qytet po e presin me padurim rikthimin e futbollit në nivelet më të larta.

ssadsaddsasdadsadsadas

LOJTARËT – Një trajner kampion nuk mund të bëjë asgjë pa lojtarë kampionë. Në Elbasan, për fat të mirë nuk mungojnë ata që kanë trofe mbi supe. Bëhet fjalë për dhjetë lojtarë që aktualisht kanë fituar të paktën një kampionat apo kupë në nivelet më të larta. Bruno Telushi është ai që i prin të gjithë me tri kampionate të fituara dhe një kupë, duke u pasuar nga Edon Hasani me dy kampionate dhe një kupë. Bruno Lulaj ka ngritur dy herë trofeun e kampiones, ndërsa Bedri Greca dhe Ardit Hila nga një herë.

Edhe i afruari i fundit, Ze Gomesh ka fituar një kupë dhe kampionat në elitën e futbollit portugez si pjesë e Benfikës, pa llogaritur trofetë me moshat e kombëtares së tij. Sakaq, Emiljano Musta, Bledar Lila, Esin Hakaj dhe Kristian Dros kanë provuar nga një herë shijen e fitimit të kupës. Ndërkohë merkatoja nuk është mbyllur ende dhe në radhët e verdhebluve mund të afrohet ndonjë tjetër kampion. Pa harruar këtu edhe futbollistët e tjerë që ndoshta nuk e kanë pasur fatin të fitojnë diçka të rëndësishme në karrierën e tyre, por që presin ta bëjnë diçka të tillë pikërisht me Elbasanin.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"