Vëzhgimi/ Partizani, kur shtëpia kthehet në “ters” për fitoret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 9:11

Vëzhgimi/ Partizani, kur shtëpia kthehet në “ters” për fitoret

Partizani i këtij sezoni pati shumë luhatje në rezultate gjatë fazës së parë, por tashmë është fakt se pas 13 ndeshjesh të zhvilluara, kryeson i vetëm renditjen me 24 pikë (dy më tepër se Vllaznia).partizani-kompleksiQë prej emërimit të trajnerit Aleksandar Veselinoviç, “demat” nuk kanë pësuar asnjë humbje, duke marrë 11 rezultate pozitive radhazi (fitoren e parë e kanë arritur me Arbër Abilaliajn në pankinë kundër Skënderbeut me shifrat 2-1 për javën e dytë). Humbja e vetme e të kuqve këtë kampionat është pikërisht në javën e parë, kur Vllaznia i mundi minimalisht 0-1 në stadiumin “Arena e Demave” (Abilaliaj trajner).

Mirëpo, ajo që bën përshtypje në ecurinë e Partizanit me Veselinoviç janë ndeshjet në shtëpi. Nga katër të luajtura deri më tani me serbin në krye të pankinës, të kuqtë kanë arritur vetëm një fitore 1-0 kundër Bylisit, ndërsa në të tjerat kanë barazuar me Dinamon, Tiranën dhe Teutën.

Interesant është fakti se “Demat” janë më bindës në rezultate jashtë fushës së tyre. Në shtatë ndeshje të zhvilluara, kanë arritur 4 fitore dhe 3 barazime, duke mos u mposhtur asnjëherë. Në total jashtë fushe kanë një golavarazh pozitiv 12-4. Partizani është dukshëm skuadra që ka bërë më mirë në transferta deri më tani në Superiore, por ajo që duhet korrigjuar është faktori fushë, aty ku mendohet se “Arena e Demave” duhet të jetë fortesë për ekipin. Këtë të dielë Partizani pret Laçin dhe do të kërkojë rikthimin te fitorja në shtëpi, që mungon prej 5 tetorit kundër Bylisit (1-0).

KRAHASIMI ME SEZONIN E KALUAR Në të njëjtën periudhë gjatë kampionatit të kaluar, Partizani ka qenë gjithashtu në pozita kryesuese, por me pikë të barabarta me Egnatian (27), paçka se të kuqtë kishin një ndeshje më pak me Teutën dhe në total kishin luajtur 12 herë. Megjithatë, nëse shikon shifrat e sezonit të kaluar, “demat” kanë bërë më mirë në disa elementë, duke filluar nga pikët. Aktualisht kanë grumbulluar 24, ndërsa vjet kishin 27 në 12 ndeshje dhe jo 13 sa tani.

Sa u përket golave, në kampionatin e kaluar shënonin 20 herë, ndërsa këtë sezon kanë realizuar 18 herë. E vetmja pikë e përbashkët është në pësimin e golave, ku si vjet, ashtu edhe këtë kampionat, e kanë nxjerrë topin nga rrjeta 10 herë. Balanca mes fitoreve brenda dhe jashtë ka qenë më e mirë në të njëjtën periudhë të sezonit 2023-2024, kur ekipi drejtohej nga Orges Shehi. Megjithatë, këto janë vetëm statistikat, për të cilat trajnerët shpesh përdorin një shprehje të njëjtë: “janë bërë për t’u thyer”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"