VËZHGIMI / Shanset 50-50 për Itali-Shqipëri, modeli statistikor i parashikon 58-42
Nga EDUARD ZALOSHNJA
Nga një model simulacionesh statistikore që kam ndërtuar qysh në dhjetor për “Panorama Sport” (dhe që e kam përditësuar deri ditët e fundit), rezulton se probabiliteti për një rezultat pozitiv (barazim ose fitore) të kombëtares tonë ndaj Italisë është pothuaj 42 %.
I përkthyer në koeficiente bastesh, ky probabilitet jep koeficientin 2.4 për dopio shans X-2 për kombëtaren tonë. Në karrierën time kam kryer 62 studime shkencore të botuara në SHBA (https://www.researchgate.net/scientific-contributions/EduardZaloshnja-39551747), por asnjëri s’ka qenë më i vështirë se sa ndërtimi i modelit të simulacioneve statistikore për ndeshjen Itali-Shqipëri. Një merimangë e vërtetë ndërthurjesh probabilitare! Sidoqoftë janë dy faktorë që nuk munda t’i sasiorizoja dot në modelin tim statistikor: tifozërinë shqiptare në stadium dhe motivimin ekstra të futbollistëve tanë ndaj kombëtareve të mëdha. Le të analizojmë faktorin e parë. Ka shumë hamendësime në media se sa dhjetëra mijëra tifozë shqiptarë do të jenë në stadium për ndeshjen Itali-Shqipëri, por me siguri mund të thuhet se ata do të dominojnë në atë ndeshje të shumëpritur nga të gjithë sportdashësit shqiptarë, kudo që janë. Dhe tifozëria e zjarrtë shqiptare e ka provuar që ka qenë futbollisti proverbial “i dymbëdhjetë” në të gjitha ndeshjet e kombëtares sonë.
Një faktor i tillë nuk mund të futet dot në një model statistikor. Sidoqoftë, një hamendje e përafërt mund të bëhet. Në ndeshjet në shtëpi, Kombëtarja jonë shënoi gjatë eliminatoreve më shumë gola se sa priteshin nga modelet statistikore dhe pësoi më pak. Kuptohet që përballë kishte kombëtare më të dobëta ose shumë më të dobëta se sa kombëtarja italiane, por patjetër që mund të konsiderohet si një faktor plus. Me afërsi, ky faktor mund të na e çojë nga 42% në 46% probabilitetin e një rezultati pozitiv (barazim ose fitore). Faktori i dytë është mobilizimi që ka demonstruar kombëtarja jonë në ndeshjet me ekipe të mëdha. Për të mos shkuar tek barazimi ynë i famshëm me Gjermaninë më 1967 apo fitoret e famshme me Belgjikën më 1984 e me Greqinë kampione të 2004-ës, le të fokusohemi më afër te ndeshja me Francën më 2016. Ishte ndeshja jonë e parë zyrtare në histori në një turne final europian, ku përballeshim me vendin organizator dhe me ekipin super favorit për ta fituar atë. Statistikat deri minutën e 90- të treguan se, me gjithë dominimin në kontrollin e topit, kombëtarja franceze nuk pati ndonjë epërsi të dukshme në treguesit e tjerë të rëndësishëm statistikorë. Ato 90 minuta të para u konsideruan befasia më e madhe statistikore e atij kampionati!
U desh një kryevepër e Grizman, që ta zhbllokonte rezultatin për Francën…Në atë ndeshje, futbollistët tanë realizuan në mbrojtje 40 rikuperime topi, 6 sparkata të suksesshme, 9 bllokime të gjuajtjeve të kundërshtarëve dhe 22 spastrime zone. Një rekord i gjithë turneut, për sa i përket mbrojtjes! Në sulm, ne goditëm një herë shtyllën (kur rezultati ishte 0- 0), gjuajtëm 9 herë drejt portës kundërshtare, u kapëm 1 herë në pozicion jashtë loje dhe fituam 4 korne. Jo keq për një ekip që luante për herë të parë në një turne të madh ndërkombëtar kundër ekipit organizator të tij! Po si mund të përkthehet statistikisht ajo përvojë e para 8 viteve për parashikimin e ndeshjes Itali-Shqipëri të shtunën? E vështirë, për të mos thënë e pamundur. Sidoqoftë, duke gjykuar nga entuziazmi që duket se është krijuar në gjirin e Kombëtares sonë, pas daljes së papritur në vend të parë të grupit kualifikues, një hamendje mund të bëhet: Shanset për një rezultat pozitiv (barazim ose fitore) mund të shkojnë deri në 50 %!
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"