VËZHGIMI/ Silvinjo grumbulloi 47 lojtarë, Asllani “mbreti” i minutave te Kombëtarja. 11 kuqezinj s’u përdorën
Janari i vitit 2023 pa në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit një trajner të ri. Pas largimit të Edi Rejës, Shqipërinë do ta drejtonte për herë të parë një brazilian. Silvio Mendes Kampos Xhunior, ose shkurt siç e thërrasin (Silvinjo).
Trajneri që vinte nga një eksperiencë në kampionatin brazilian do të fillonte menjëherë nga puna për të krijuar një skuadër që do të përballej me Poloninë në muajin mars 2023, e vlefshme për kualifikueset e Europianit. Të gjithë më pas e dimë sesi shkoi, por qëllimi i këtij shkrimi është që të sjellë të gjitha emrat e lojtarëve që Silvinjo ka përdorur deri tani, ku po përmbushet dy vite nga ardhja e tij.
Nga një vëzhgim i gazetës, rezulton se nën urdhrat e 50-vjeçarit janë vënë plot 47 futbollistë të ndryshëm, ku padyshim jo të gjithë kanë zbritur në fushë. Duke i ndarë me reparte, në 22 ndeshje që Shqipëria ka luajtur nën drejtimin e Silvinjos, 16 i takojnë Tomas Strakoshës dhe 6 Etrit Berishës. Ndërkohë të grumbulluar kanë qenë edhe Kastrati, Sherri dhe Simoni.
REKORDET NË EPOKËN SILVINJO – Nëse ka një lojtar që Silvinjo i ka besuar më shumë minuta, ai është truri i mesfushës, Kristjan Asllani, me 1855 të tilla. Mario Mitaj ka vetëm 10 minuta më pak dhe është i dyti në rangun e aktivizimit. Më pas vijnë Ylber Ramadani, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani. Lista vijon me Hysajn, Ismajlin dhe Gjimshitin.
Ndërkohë, një rekord më vete e mban edhe Jasir Asani. Silvinjo është “fiksuar” me anësorin e sulmit pasi mbetet i vetmi lojtar i cili i ka luajtur të 22 ndeshjet si titullar. Mario Mitaj ka humbur vetëm ndeshjen e parë me Poloninë sepse ka qenë i angazhuar me ekipin U-21, ndërsa pas Asanit vijnë Kristjan Asllani me 21 ndeshje si titullar, Nedim Bajrami me 20 dhe Ylber Ramadani me 19-ë. Sa i përket sulmit, Seferi është më i aktivizuari, i ndjekur nga i tërhequri Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni me Rei Manajn.
ASNJË MINUTË- Padyshim që në një gamë kaq të zgjeruar, ka edhe lojtarë që nuk kanë zbritur asnjë minutë në fushë me Silvinjon. Ata janë 11 të tillë duke filluar me: Kastrati, Sherri, Simoni, A.Bajrami, Mersinaj, Lenjani (i tërhequr) Hadroj, Pajaziti, Roshi (i tërhequr), Selahi, dhe Fetai.KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"