VIDEO/ Serbia thuajse e eliminoi, SHBA e mund në minutat e fundit dhe gjen përsëri Francën në finalen e basketbollit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2024 | 9:55

VIDEO/ Serbia thuajse e eliminoi, SHBA e mund në minutat e fundit dhe gjen përsëri Francën në finalen e basketbollit

Ashtu sikurse 3 vite më parë në Tokio, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekipet që do të luftojnë për medaljen e artë në basketbollin e meshkujve edhe në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

xhejms

Gjysmëfinalet e djeshme dhuruan spektakël dhe emocione, ndërsa në fund festuan francezët dhe amerikanët, të cilët triumfuan përkatësisht kundër Gjermanisë dhe Serbisë. Përballja e parë ishte mes Francës dhe Gjermanisë, sfidë ku vendësit fituan me rezultatin 73-69 (18-25, 15-8, 23-17, 17- 19).

Një takim që nisi më mirë për Gjermaninë, por Franca dominoi në periodën e dytë dhe të tretë, për ta menaxhuar më pas avantazhin në çerekun e fundit. Yabusele me 17 pikë e 7 kërcime si dhe Cordinier me 16 pikë e 7 kërcime ishin më të mirët për të zotët e shtëpisë, të cilët pas Kanadasë, eliminojnë një tjetër ekip pretendent si Gjermania, duke mbajtur gjallë ëndrrën për medaljen e artë.

Spektakolar ishte takimi mbrëmjes SHBA-Serbi, me amerikanët që fituan në shifrat 95-91 (23-31, 20- 23, 20-22, 32-15). SHBA vuajt jo pak për të mbërritur te suksesi në një përballje ku shkoi deri në -17 pikë disavantazh, pasi serbët treguan superiorë në tre perioda.

Megjithatë SHBA-ja e yjeve, përmbysi gjithçka në çerekun e fundit, teksa për herë të parë kaloi në avantazh pas 38 minutash lojë, për ta mbyllur takimin me +4 pikë.

Paraqitje fantastike nga Curry, me 38 pikë, si dhe nga LeBron James me tripletë dyshifore, 16 pikë, 12 kërcime dhe 10 asistime. Bogdanoviç shënoi 20 pikë për serbët, mbështetur nga Jokiç me 17 pikë e 11 asistime.

Të shtunën në mbrëmje në orën 21:30 do të jetë radha e finales, me SHBA-në që kërkon medaljen e pestë të artë, ndërsa Franca të parën. Në të njëjtën ditë, por më herët në orën 11:00, do të luhet finalja për bronzin mes Gjermanisë dhe Serbisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"