Vizitë në fshatin e kampionëve, Presidenti Begaj mahnitet pas Kofshës
Shtërmeni njihet si fshati i vogël që ka nxjerrë kampionë të mëdhenj të peshëngritjes, duke nisur nga ikona si Briken Calja, për të vijuar me talente shumë premtues, si Ertjan Kofsha, medalist i artë në Europianin U20 që u mbajt pak ditë më parë në Poloni.
Së fundmi Shtërmeni ka pasur një vizitë të veçantë, teksa në palestrën e peshëngritjes ka qenë edhe vetë Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Cërrik, Andis Salla, si dhe nga kreu i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, presidenti Begaj ka parë nga afër punën e pandalshme që bëhet me shtangistët në Shtërmen.
Begaj ka takuar trajnerin Leonard Toska dhe sportistët e ekipit, Ertjan Kofshën, Samuel Rrasën dhe të tjerë.
Kreu i shtetit ka mbetur i mahnitur nga ky ekip që prodhon kampionët me të cilët krenohet e gjithë Shqipëria, duke admiruar medaljet e shumta kombëtare dhe ndërkombëtare të ekspozuara në muzeun e klubit. Presidentit i është dhuruar dhe një bluzë sportive e Shqipërisë me mbishkrimin “Begaj”.
MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"