Vllazni “e sakatuar”, shpresat janë te dyshja Delaj-Dodaj kundër Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2024 | 9:47

Vllazni “e sakatuar”, shpresat janë te dyshja Delaj-Dodaj kundër Partizanit

Mungesat e shumta këtë sezon që Vllaznia ka pasur për shkak dëmtimesh, ka bërë që tek kuqeblutë të aktivizohen disa elemente të rinj. Këta të fundit e kanë justifikuar shansin e dhënë me paraqitjet e tyre, madje kanë fituar edhe rolin e titullarit dhe protagonistit. dodaj-delajDODAJ – Njëri prej tyre është Kevin Dodaj. Sulmuesi 19-vjeçar që tashmë është një titullar i vazhdueshëm i shkodranëve e madje ka shënuar edhe 4 gola në këtë sezon. Ai është shndërruar kështu në zbulimin e sezonit jo vetëm te Vllaznia, por në mbarë kampionatin e Superiores.

DELAJ – Megjithatë, në ndeshjen e fundit ndaj Laçit të fituar 2-1 nga kuqeblutë ishte një tjetër element i ardhur rishtazi nga akademia e Vllaznisë që la shenjë. Fjala është për Antonio Delajn, i cili u hodh në fushë si zëvendësues pas dëmtimit të Spahijës. Performanca e 21-vjeçarit ishte po ashtu në nivelin e duhur, madje ai bëri edhe diferencën me golin e tij. Pasi rrëmbeu një top nga mbrojtja kurbinase, me një goditje të fortë në hyrje të zonës, i riu arriti të mposhte Dajsinanin. I riu gjeti në këtë mënyrë edhe golin e parë sezonal për shtatshkurtrin.

TITULLARË – Të dy sulmuesit pritet ta nisin nga minuta e parë ndeshjen kundër Partizanit, që do luhet të premten. Dhe shpresat në kampin shkodran janë pikërisht tek kjo dyshe, që së bashku me Balajn në majën e sulmit të udhëheqin skuadrën drejt një rezultati pozitiv. Një fitore do të mbyllte siç duhet vitin 2024 për skuadrën e Brdariç. Në përfundimin e këtij viti kalendarik Vllaznia shkon në Tiranë për tu përballur me të kuqtë me mungesën e 10 futbollistëve. Kristi Qarri, Erdenis Gurishta, Millos Stojanoviç, Marko Juriç, Andrei Jago, Flori Spahija, Ardit Deliu, Klinti Qato, Edlin Matuti dhe Ildi Gruda nuk llogaritën nga trajneri Brdariç për ndeshjen e radhës.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"