Vllaznia “bastion” serbësh, vijnë Jeliç dhe Aleksiç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 19, 2011 | 14:52

Vllaznia “bastion” serbësh, vijnë Jeliç dhe Aleksiç

Ndryshe nga skuad ra e tjera të kampi onatit shqiptar, të cilat janë duke u përqendruar te mbyllja e fazës së parë, Vllaznia po tregohet mjaft aktive në merkaton e transferimeve. Renditja jo e mirë në tabelën e klasifikimit dhe mungesa e disa futbollistëve në reparte të ndryshme, e ka detyruar trajnerin shkodran, Rudi Vata, të hedhë sytë me urgjencë nga merkatoja. Edhe këtë herë, ashtu siç ka ndodhur në sezonet e fundit futbollistike, shkodranët po përqendrohen te lojtarët e huaj, që vijnë kryesisht nga kampionati serb. Vetëm pak ditë më parë, dy serbët Marko Boshkoviç e Marko Jaksiç kanë qenë në provë te Vllaznia. Por pas miqësores së zhvilluar me Adën, futbollistët në fjalë nuk kanë arritur ta bindin trajnerin shkodran dhe stafin e tij, kështu që janë larguar. Dje ndërkaq dy lojtarë të tjerë po nga kampionati serb i futbollit kanë mbërritur në Shkodër, ku do të kalojnë periudhën e provës nën vëzhgimin e trajnerit Vata. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin Vitomir Jeliç dhe sulmuesin Marko Aleksiç. I pari është 30- vjeçar dhe ka qenë pjesë e ekipit Burma në Miamara të Azisë, por ka luajtur për një kohë të gjatë edhe me disa skuadra të Kategorisë së Dytë në kampionatin çek. Pa harruar pastaj që te Vllaznia vjen pas një sezoni të mirë me ekipin e tij. Ndërsa sulmuesi Aleksiç mësohet të jetë pjesë e skuadrës së Kategorisë Superiore serbe, Jagodina. 25-vjeçari është larguar nga klubi i tij për të gjetur një tjetër skuadër, pasi gjatë këtij sezoni është aktivizuar vetëm një herë. Dy futbollistët do të kalojnë një periudhë të shkurtër kohore te Vllaznia në formë prove dhe vetëm nëse do të arrijnë ta bindin trajnerin Vata për aftësitë e tyre, mund të bëhen pjesë e ekipit shkodran gjatë fazës së dytë të kampionatit.
Të tjerët Periudha e tanishme dhe deri në muajin janar do të jetë intensive te kuqeblutë për sa u përket futbollistëve që do të vijnë në provë. Kështu, sot pritet që në Shkodër të mbërrijnë katër lojtarë të tjerë, dy prej të cilëve do të jenë nga Mali i Zi dhe dy nga Kroacia. Njëri nga kroatët mësohet se i përket repartit të sulmit, tjetri atij të mbrojtjes. Lojtarët malazezë do të jenë të dy sulmues. Por kjo nuk është e gjitha, pasi të mërkurën te Vllaznia do të vijnë edhe dy brazilianë në provë, përkatësisht një sulmues e një mesfushor. Flitet se lojtarët që do të vijnë për provë janë cilësorë, megjithatë jo të gjithë do të qëndrojnë për shumë ditë në stërvitjet e shkodranëve. Trajneri Vata pritet të mbajë vetëm katër prej tyre për një kohë të gjatë. Nga ana tjetër, ai është shprehur i gatshëm të provojë çdo lojtar që do të ketë dëshirë të jetë pjesë e Vllaznisë. Mangësitë më të mëdha në kampionat kuqeblutë i kanë treguar në mbrojtje dhe në sulm, sidomos pas largimit të Sukajt nga skuadra. Futbollistët që do të firmosin një kontratë me skuadrën shkodrane nuk do të përfitojnë asnjë rrogë të majme, pasi ka qenë vetë trajneri Vata ai që ka deklaruar se kërkon futbollistë të nevojshëm dhe jo lojtarë me emër.

Vajushi: U kërkoj falje të gjithëve për gjestin
Armando Vajushi do t’i mungojë skuadrës së tij në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Shkumbinit në transfertë, për shkak të kartonit të kuq që ka marrë në sfidën ndaj Dinamos. Sulmuesin e ri nuk e kanë mbajtur nervat në minutën e 92-të, e për rrjedhojë ka shkëmbyer goditje me sulmuesin e Dinamos, Endri Lala. Ndërkaq, arbitri i takimit nuk ka hezituar aspak t’i ndëshkojë futbollistët me karton të kuq. Vetë Vajushi në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” shprehet se ndihet i penduar dhe kërkon falje për gjestin e tij. “Përveçse më ka goditur në këmbë, Lala edhe më ka fyer në ato momente, më pas ka ardhur reagimi im. Nuk doja të ndodhte një gjë e tillë, por tani ajo që u bë nuk mund të kthehet mbrapsht. Që në momentin e aktivizimit, Lala më ka ngacmuar dhe më ka ndërhyrë rëndë herë pas here. Ndoshta këto ishin rrjedhojë edhe e atij kundërveprimi nga ana ime. Por, sinqerisht i kërkoj të falur, në radhë të parë shokëve të ekipit, të gjithë drejtuesve dhe pa diskutim tifozëve shkodranë për atë karton të kuq që do të më lërë jashtë fushe në ndeshjen e radhës”, ka thënë Vajushi.

Faza përgatitore do bëhet në Ulqin
Drejtuesit e klubit shkodran kanë saktësuar përfundimisht edhe vendin se ku skuadra e tyre do të zhvillojë fazën përgatitore të janarit. Ulqini do të jetë destinacioni i Vllaznisë dhe aty trajneri Vata do të ketë mundësi të punojë me futbollistët e tij, për t’i përgatitur ata për fazën e dytë të kampionatit. Mësohet se ditët e pushimit për kuqeblutë nuk do të jenë të shumta, pasi skuadra mund të udhëtojë drejt Ulqinit më datë 5 janar. Deri në nisjen e ekipit për fazën përgatitore mendohet të jenë bërë edhe lëvizjet e para në merkato, por gjatë qëndrimit të skuadrës në Ulqin trajneri do të ketë mundësi të provojë futbollistë të tjerë, të cilët pritet të vijnë në provë.

Shkodranët, me të rinjtë në Ballsh
Edhe pse aktualisht te skuadra e Vllaznisë është e vështirë të gjesh shumë futbollistë me eksperiencë apo titullarë për ndeshjen e mesjavës, të cilën shkodranët do ta luajnë për Kupën e Shqipërisë ndaj Bylisit në transfertë, trajneri Vata do të udhëtojë vetëm me të rinjtë. Të vetmit futbollistë që do të jenë me skuadrën nga titullarët e ndeshjes së fundit janë Petroviç e Gocaj, pasi ata për arsye kartonësh nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin në sfidën e fundit të kësaj faze të parë ndaj Shkumbinit. Skuadra pritet të ndahet në dy pjesë. Titullarët do të qëndrojnë në Shkodër për të zhvilluar stërvitje, ndërsa pjesa tjetër do të udhëtojë drejt Ballshit.
ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"