Vllaznia, pa shënjestër në miqësoren kundër fqinjëve të Otrant. Brdariç i provon të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2024 | 9:00

Vllaznia, pa shënjestër në miqësoren kundër fqinjëve të Otrant. Brdariç i provon të gjithë

Vllaznia dhe Otrant i Ulqinit barazuan me rezultatin 0-0 në miqësoren e zhvilluar dje në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Ishte një iniciativë e dy klubeve nën moton: “Dy ekipe, një flamur”, ndërsa hyrja për tifozët ishte falas.

458765894_1052721973529147_985358321655022731_n

Në fushë nuk pati gjëra për t’u mbajtur mend, me një Vllazni pa shënjestër. Ishte një ndeshje me një lojë nën nivelin mesatar. Si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën, kanë munguar jo vetëm rastet për shënim, por edhe goditjet drejt portave respektive. Kjo përballje u vlejti stafeve teknike që skuadrat të mbajnë ritmin e duhur me kampionatin e ndërprerë për shkak të impenjimeve të kombëtareve.

Otrant këtë sezon merr pjesë në nivelin elitar të futbollit malazez, kështu që për Vllazninë ishte një test i mirë para sfidës së javës së katërt të kampionatit me Egnatian, që luhet mesjavën e ardhshme në Shkodër.

FORMACIONI – Trajneri Tomas Brdariç e nisi ndeshjen me 11-shin, me të cilin synon të përballojë Egnatian pas disa ditësh në të njëjtin stadium. Gjermani aktivizoi Qarrin në portë, Gurishtën, Juriçin, Bajramin dhe Jagon në mbrojtje, Krymi, Qato dhe Deliun në mesfushë, ndërsa në sulm luajtën Mala, Delaj dhe kapiteni Balaj.

Për 45 minutat e para duhet thënë se e vetmja mundësi ishte ajo e Malës që në fillim, kur ai goditi fuqishëm në hyrje të zonës, por topi preku rrjetën e jashtme. N mesin e kësaj pjese Deliu u zëvendësua nga Zaganjori.

Në pjesën e dytë stafi teknik i kuqebluve aktivizoi formacionin e dytë. Konkretisht në fushë u futen Jukaj, Brahimi, Pusi, Beci, Spahija, Sala, Tafili, Zaganjori, Podrimcaku, Maliqi dhe Matouti. Edhe në këtë pjesë rastet për dy ekipet ishin të pakta. Vlen për t’u përmendur vetëm minuta e 79-të, kur portieri Jukaj shpëtoi portën e tij, duke grushtuar një top të devijuar më parë nga Spahija dhe që më pas preku shtyllën e majtë pingule.

sdasdassdasdasd

Afër fundit të ndeshjes pati një kombinim të bukur mes Matouti, i cili debutoi me fanellën kuqeblu, dhe Zaganjorit, por goditja e kalibruar e mesfushorit shkodran u grushtua mjeshtërisht nga portieri mik. Ky takim miqësor është mbyllur pa gola, ndërsa trajneri Brdariç ka marrë sinjale të qarta para ndeshjes së kampionatit me Egnatian.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"