Vllaznia vijon përgatitjet, Brdariç afron 3 lojtarë të rinj te ekipi i parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 23:23

Vllaznia vijon përgatitjet, Brdariç afron 3 lojtarë të rinj te ekipi i parë

Tre lojtarë të ekipit U-19 të Vllaznisë i janë bashkuar në stërvitje ekipit të parë. Futbollistët e bashkuar me ekipin A mësohet se janë Hazret Shimaj, Klajti Halili dhe Aris Ara.

Foto/F.Hazisllari

Foto/F.Hazisllari

I pari aktivizohet në rolin e mesfushorit të qendrës, ndërsa dy të tjerët i përkasin repartit të avancuar, ku Halili luan si sulmues “pykë” dhe Ara si anësor në sulm. Duket se trajneri Brdariç dhe stafi i tij po i japin një hapësirë më të madhe elementit të ri këtë edicion dhe shpresojnë në nxjerrjen e një produkti që i shërben edhe financave të klubit në të ardhmen.

Edhe në ndeshjet e Superiores kanë gjetur hapësira dhe minuta mjaft futbollistë të rinj, të dalë rishtazi nga akademia kuqeblu. Të radhës duket se janë Shimaj, Halili dhe Ara, tre nga elementët më të spikatur në radhët e Vllaznisë U-19, pavarësisht se ata nuk pritet të jenë të grumbulluar me ekipin në ndeshjen e radhës.

E rëndësishme për stafin momentalisht është integrimi i tyre sa më i shpejtë në ekipin e parë, në mënyrë që të jenë të gatshëm të japin kontributin e tyre në të ardhmen.

Duhet thënë se në vitet e fundit te Vllaznia ka pasur një numër më të ulët se zakonisht të talenteve të dala nga akademitë e këtij qyteti. Kjo referohet edhe në transferimet e bëra, por edhe në praninë minimale të shkodranëve në ekipin kombëtar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"