Vlonjati tregon aventurën te verdhejeshilët. Polivalenti Deliaj: Lushnja ia del në Pogradec
Lushnja ka qenë spektatore dje në ndeshjet e Kupës. Të eliminuar që në turin e parë, e gjithë vëmendja është te kampionati. Lushnjarët janë të përfshirë në vorbullën e skuadrave që kërkojnë zonën e “play-off”-it. Për këtë, të hënën kanë një përplasje të drejtpërdrejtë në Pogradec.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, 27-vjeçari Fjoralb Deliaj i aktivizuar në disa role te Lushnja shprehet se po punojnë për të dalë me tri pikë nga Pogradeci. “Më vjen shumë keq për mënyrën sesi u eliminuam nga Kupa. Gjëja pozitive është që kemi më shumë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës me Pogradecin. Sezoni po shkon mirë, edhe pse mund të kishim bërë pak më mirë. Ndjehem mjaft i vlerësuar te Lushnja, një ambient i mirë dhe i qetë për të luajtur futboll.
Fillimisht, e nisa si mbrojtës qendre, por më vonë kalova në mesfushë, ku kam luajtur shumicën e ndeshjeve. Në ndeshjet e fundit jam aktivizuar në krahun e djathtë të mbrojtjes. Jemi të fokusuar te Pogradeci, një ndeshje shumë e vështirë. Liqenorët kanë një ekip që në fushën e tij nuk mposhtet kollaj. Prandaj, ne do të punojmë gjithë javën që të marrim tri pikët”, deklaroi vlonjati i verdhejeshilëve, Fjoralb Deliaj.
Alban Alushi -PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"