Volej e nis vitin me Kupën, Tirana mposht Skënderbeun
Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj ka hapur dje ditën e pestë në fazën e grupeve, me takimet e para të sportit të rrjetës për vitin 2025.Tirana mori një fitore të bukur ndaj një kundërshtari të fortë si Skënderbeut, teksa i mposhti korçarët me rezultatin 3-2, sfidë e vlefshme për Grupin B. Një sukses që e ngjit skuadrën e Arben Sakos në vend të parë, tashmë të kualifikuar matematikisht në gjysmëfinale.
Përballja e zhvilluar në “Farie Hoti” ishte shumë e luftuar, aq së për të përcaktuar fituesin u nevojitën 5 sete dhe 2 orë e 10 minuta lojë. Tirana në këtë takim vinte me përforcimin e parë sezonal të huaj, teksa debutoi greku Dimitris Pochanis, për ta nisur mirë, duke marrë setin e parë 25-22. Reagimi i Skënderbeut ishte i menjëhershëm, me setin e dytë që u fitua 18-25 nga ekipi i Arben Priftit. Bardheblutë rimorën avantazhin, duke fituar setin e tretë 25-21.
Seti i katërt ishte më i bukuri i ndeshjes, i vendosur me pikë shtesë, 24-26, në favor të korçarëve, të cilët u dogjën kryeqytetasve edhe një “match point”. Megjithatë Tirana u fut e vendosur në setin final, duke triumfuar 15-11, për të siguruar fitoren 2-pikëshe. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Vllaznia mundi Elbasanin me rezultatin e pastër 3-0 (25- 20, 25-20, 25-18). Shkodranëve u mjaftuan 1 orë e 6 minuta lojë për t’i mbyllur llogaritë kundër verdhebluve, me këta të fundit që udhëtuan në transfertë me vetëm gjashtë lojtarë dhe një libero.
Vllaznia tashmë do t’i luajë të gjitha shanset e kualifikimit në ndeshjen e fundit kundër Skënderbeut në Korçë. Dita e pestë e Kupës do të kompletohet sot me derbin Studenti-Partizani në orën 19:00 në “Asllan Rusi”, përballje e vlefshme për Grupin A.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"