VOLEJ FEMRA/ Konfirmohet largimi i trajneres kuqeblu Nora Deda e mbyll me Vllazninë
Vllaznia e volejbollit të femrave ka pasur një nisje aspak të mirë të kampionatit, me vajzat kuqeblu që regjistrojnë 1 fitore dhe 5 humbje, duke pozicionuar në vendin e fundit të renditjes.
Vetëm pak ditë më parë shkodranet u mundën në shtëpi nga Teuta me rezultatin 1- 3, një disfatë që solli edhe largimin e trajneres Nora Deda, e cila dha dorëheqjen. Një vendim që duket se është përfundimtar për ish-volejbollisten e mirënjohur të Vllaznisë, e cila nuk do të bëjë hap pas. Kështu Deda e mbyll zyrtarisht bashkëpunimin me klubin kuqeblu, pas një eksperience rreth një vit e gjysmë, teksa në drejtimin e saj Vllaznia e përfundoi sezonin e kaluar mes 4 ekipeve më të mira të kampionatit.
Deri në emërimin e trajnerit ose trajneres së re, momentalisht Vllaznia do të drejtohet nga zv.trajneri aktual, Gentian Curraj, i cili është gjithashtu edhe lojtar i ekipit të meshkujve të Vllaznisë. Ndeshja e radhës në kampionat për skuadrën shkodrane do të jetë më 26 tetor kundër Dinamos në Farkë, takim i vlefshëm për javën e shtatë që shënon gjithashtu edhe fundin e fazës së parë në Superligën e volejbollit për femra.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"