VOLEJ FEMRA/ Partizani leksion Barletit, Skënderbeu dhe Tirana s’falin
Me 5 fitore të pastra në po kaq javë të kampionatit, Partizani po zhvillon një fillim-sezoni të shkëlqyer në Superligën e volejbollit për femra.Ndonëse janë e vetmja skuadër nga pretendentet që paraqitet me një ekip 100% shqiptar, vajzat e Hasan Gurabardhit kanë bindur në çdo dalje, duke mos u lënë asgjë kundërshtareve. E tillë ishte edhe ndeshja e javës së pestë kundër Barletit, të shtunën në “Asllan Rusi”. Partizani i mbylli llogaritë me rezultatin 3-0, duke mbaruar punë për 1 orë e 27 minuta me universitaret.
Pas një nisje disi më të mirë nga Barleti, që arriti të kryesonte deri në 4 pikë (9- 13), Partizani përmbysi, për ta fituar setin e parë 25-21 me pikën e fundit nga Joana Kushi. Dy setet e tjera ishin pa histori, me të kuqet që dominuan në çdo aspekt, për ti fituar ato përkatësisht 25-17 dhe 25-16. Dyshja Joana Kushi – Xhovana Kaçorri bëri diferencën në ofensivën e kuqe, me nga 16 pikë secila. Gjithashtu spikati sërish edhe faza mbrojtëse, duke e limituar në maksimum lojën e kundërshtareve, ku asnjë prej lojtareve të Barletit nuk preku kuotë dyshifrore pikësh. Me këtë fitore Partizani ruan kreun me 15 pikë, po aq sa Skënderbeu, por korçaret kanë diferencë setesh më të dobët.
SKËNDERBEU-POGRADECI Vajzat e Orlando Kojës mundën Pogradecin me rezultatin 3-1 në “Tamara Nikolla”. Një sukses që erdhi më përmbysje për Skënderbeun, pasi liqenoret bënë befasinë në setin e parë. Kështu, Pogradeci, tashmë nën drejtimin e trajnerit Besnik Lisha, i shtangu korçaret, duke marrë setin e parë 22-25, set që u vulos me “ace” nga Laurela Mehmeti. Por më pas doli në pah kualiteti i kampioneve, me Skënderbeun që triumfoi në 3 setet e radhës përkatësisht në shifrat 25-11, 25-21 dhe 25-22, duke hipotekuar 3 pikët në një sfidë që zgjati 2 orë. Braziliania Caroline Moreira me 19 pikë, kapitenia Elena Bego me 17 dhe meksikania Jhoana Sandoval Padilla me 13 pikë udhëhoqën vendëset. Në radhët e Pogradecit, 15 pikë për diagonalisten nga Barbadosi, Shonte Seale.TIRANA-VLLAZNIA – Në ndeshjet tjetër të zhvilluar të shtunën, Tirana likuidoi Vllazninë 3-0 në “Farie Hoti”. Kryeqytetaseve iu mjaftuan 1 orë e 14 minuta për të siguruar fitoren, takim ku trajneri Adrian Gorenxa kishte grumbulluar edhe disa lojtare të perspektivës si libero Lea Frashëri, Nensi Veselaj dhe Lura Paheshti. Ndeshja nisi në mënyrë interesante, pasi shkodranet patën fillimisht epërsi në setin e parë, teksa u shkëputën deri në +5, në shifrat 9-14. Por më pas Tirana reagoi mjaft mirë, duke përmbysur në 25-23, me venezuelasen Johanlis Belisaroi që shënoi pikën e fundit të setit. Dy setet e tjera ishin më të thjeshta për vajzat bardheblu, të cilat fituan thellë 25- 12 në të dytin dhe 25-19 në të tretin.
Lojtarja e ndeshjes ishte Enkeleda Braho, autore e 18 pikëve në suksesin e kryeqytetaseve, mbështetur nga amerikania Caitlin Moon me 13 pikë. Për Vllazninë shënuesja më e mirë ishte amerikania Azraa Williams me 11 pikë, por shkodranet rrëshqasin në vendin e fundit në renditje.
Në ndeshjen që hapi javën e pestë të premten, Dinamo mundi Teutën 1-3 në Durrës. Fundjava që vjen do të dhurojë përballje tepër interesante, ku sigurisht spikat dueli mes ekipeve të kreut, teksa Partizani dhe Skënderbeu do të matin forcat në Korçë më datë 18 tetor. Në të njëjtën ditë do të luhen edhe ndeshjet Vllaznia-Teuta e Barleti-Tirana, ndërsa Pogradeci-Dinamo do të mbyllë javën e gjashtë më datë 19 tetor.ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"