VOLEJ FEMRA/ Skënderbeu dominon në Kupë, korçaret likuidojnë me 3 sete edhe Teutën
Skënderbeu i volejbollit për femra është një makineri fitoresh. Pasi e mbyllën fazën e parë të kampionatit në krye dhe pa asnjë humbje, korçaret po dominojnë edhe në Kupë.Vajzat e Orlando Kojës morën suksesin e radhës, teksa mposhtën Teutën të shtunën me rezultat të pastër, në takimin e javës së dytë në Grupin A. Sfida e zhvilluar në “Tamara Nikolla” foli tërësisht për Skënderbeun, të cilit i mjaftuan 1 orë e 5 minuta për të hipotekuar suksesin. Diferencat e mes ekipeve u panë që në fillim, me vendëset që triumfuan thellë 25-7 në setin e parë. Gjithçka e thjeshtë për juglindoret edhe në dy setet e tjera, të cilat u mbyllën përkatësisht në shifrat 25-14 dhe 25-15. Kjo ishte fitorja e dytë në grup për korçaret, të cilat e blindojnë vendin e parë.Ndryshe nga ndeshja e Korçës, sfida tjetër e Grupit A mes Barletit dhe Dinamos dhuroi rivalitet të lartë. Universitaret e drejtuara nga Altin Gorenxa triumfuan 3-2 në “Asllan Rusi”, në një përballje që zgjati 2 orë e 16 minuta. Ndonëse dy herë në disavantazh setesh, Barleti arriti të reagonte, duke marrë suksesin e parë sezonal në Kupë. Takimi nisi më mirë për vajzat blu që drejtohet nga italiani Michelangelo Maggialetti, të cilat komanduan në parket, duke e marrë bindshëm setin e parë, 17-25. Barleti ndryshoi marsh në të dytin, për t’u kundërpërgjigjur në shifrat 25-13. Seti i tretë ishte më i ekuilibruari i takimit, me Dinamon që fitoi pos pikëve shtesë 24-26, duke ri-kaluar përpara. Por më pas vajzat e skuadrës universitare kthyen çdo gjë në favor të tyre, teksa morën setin e katërt, 25- 19, për ti mbyllur llogaritë në setin final në shifrat 15-13. Kështu 2 pikë për Barletin dhe 1 për Dinamon në derbin e ekipeve kryeqytetase.Për sa i përket Grupit B, më 7 nëntor Tirana mundi Partizanin 3-2, ndërsa të premten Vllaznia fitoi 3-2 ndaj Pogradecit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"