VOLEJ FEMRA/ Skënderbeu, Partizani dhe Tirana e nisin me fitore të pastra në Kupë
Kupa e Shqipërisë në volejbollin e femrave, me tri takime të luajtura të shtunën ka kompletuar javën e parë të fazës në grupe.Një ditë që nuk dhuroi surpriza, teksa ekipet favorite nuk falën në daljet e tyre të para. Në Grupin A, gjithçka e thjeshtë për Skënderbeun, teksa mbajtëset në fuqi të këtij trofeu, likuiduan Barletin në Korçë me rezultatin 3-0 (25-13, 25-17, 25-16).
Kujtojmë që Grupi A u hap të premten me fitoren e Teutës kundër Dinamos në Durrës në shifrat 3-1 (25-21, 12-25, 25-20, 25- 22). Pas javës së parë Skënderbeu ka marrë menjëherë kreun e grupit, duke udhëhequr falë diferencës më të mirë të seteve. Në Grupin B, Partizani dhe Tirana nuk gabuan në debutimin e tyre sezonal në Kupë, duke korrur edhe 3 pikët e para. Të kuqet e Hasan Gurabardhit mposhtën Vllazninë me rezultatin 3-0 (25-23, 25-19, 25-17) në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Pas një seti të parë me rivalitet, më pas për Partizanin loja erdhi duke u thjeshtuar, me kryeqytetaset që dominuan në parket. Fitore bindëse edhe për vajzat bardheblu, të cilat mundën Pogradecin në shifrat 3-0 (25-22, 25-19, 25-21).
Pas javës së parë Partizani dhe Tirana udhëheqin me 3 pikë Grupin B, me të kuqet që pozicionohen në vendin e parë falë diferencës më të mirë në pikët e vogla. Kujtojmë që faza e grupeve do të zhvillohet me sistem vajtje-ardhje dhe vendet e para e të dyta të secilit grup do të kalojnë në gjysmëfinale.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"