VOLEJ FEMRA/ Tirana likuidon Vllazninë në Shkodër, nderon edhe Partizanin
Me dy ndeshje të zhvilluara dje në Shkodër dhe Tiranë është mbyllur faza e grupeve e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra.Ndonëse e kishte siguruar vendin e parë dhe kualifikimin, Tirana nuk bëri aspak llogari, teksa arriti fitoren e pestë në Grupin B. Vajzat bardheblu triumfuan në transfertë ndaj Vllaznisë me rezultatin 1-3 pas një ndeshjeje që zgjat 2 orë e 6 minuta në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Edhe pse paraqiteshin me vetëm 6 lojtare, përfshirë këtu edhe Eni Fagun që nuk bëri rolin e liberos, kryeqytetaset u treguan më të sakta, duke koleksionuar 3 pikët në ndeshjen e ditës së gjashtë dhe të fundit të Kupës. Takimi filloi mirë për Tiranën, që mori setin e parë 22-25, ndërsa thelloi në 0-2 me sete, duke fituar pas pikëve shtesë 26-28 edhe fraksionin e dytë. Vllaznia reagoi në setin e tretë, të cilin e fitoi 25-19, por miket i mbyllën llogaritë, teksa morën setin e katërt thellë, 15- 25.
Fitorja e Tiranës gëzon edhe Partizanin, pasi kualifikimi i të kuqeve në gjysmëfinale varej pikërisht nga suksesi i vajzave të Adrian Gorencës, ndërsa Vllaznia e mbyll këtu aventurën e saj për këtë sezon në Kupë. Ndërkohë, dje u zhvillua gjithashtu edhe sfida e fundit në Grupin A mes Barletit dhe Teutës, një takim që kishte vetëm vlerë statistikore, i cili u fitua nga durrsaket me rezultatin e pastër 0-3 (23- 25, 22-25, 21-25). Tashmë në gjysmëfinalet e Kupës do të kemi përballjet SkënderbeuPartizani dhe Tirana-Teuta.PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"